“Zgjedhjet ishin farsë”, Berisha: KQZ të mos miratojë rezultatin

Nga Anesti Barjamemaj
20 Maj 2025, 15:10 | Politikë

“Edi Rama nuk zhvillon zgjedhje, zhvillon farsë...”... Në ditën e nëntë pas zgjedhjeve, Sali Berisha, vijon t’i konsiderojë zgjedhjet e 11 majin si farsë elektorale dhe pohoi se demokratët nuk do të njohin rezultatin e dalë prej tyre, shkruan A2 CNN.

Në një konferencë për mediat, kryetari i PD pohoi se qytetarët nuk votuan të lirë dhe se shumë prej tyre u kërcënuan edhe me armë. Duke cituar një dokument ndërkombëtar, kartën e Kopenhagenit, që saktëson parimet bazë të zgjedhjeve, Berisha pohon se ky dokument nuk është respektuar.

“Në këto zgjedhje u shkelën parimet më themelore të zgjedhjeve të drejta, për të cilat Shqipëria ka firmosur dokumentin e Kopenhagenit. Shqipëria ka mishëruar këtë dokument dhe parimet e këtij dokumenti në Kushtetutën e vendit dhe në kodin zgjedhor”, tha kryedemokrati.

Një thirrje ka për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të mos nxjerrë rezultatet e zgjedhjeve, pasi siç pohon ai, shkeljet janë të shumta dhe theksin e vendos te votimi nga jashtë. “Asnjë rezultat nuk mund të nxirret mbi falsifikimin monstruoz që u bë në këto zgjedhje. Do t’u paraqes dokumente flagrante për etapën e fundit të turpshme të votës në diasporë, e cila nuk mund të përfshihet kurrë, të konsiderohet kurrë”.

Betejën për mosnjohjen e rezultatin, pohon se do ta bëjnë në dy fronte, ku përveç protestave brenda vendit, një vëmendje e shtuar do të jetë te dialogu me ndërkombëtarët. Berisha nuk preferoi të përgjigjet nëse aleatët e tij justifikuan besimin e dhënë për 7 mandate në listën e sigurt të koalicionit të drejtuar nga PD. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos