Sali Berisha i quan farsë zgjedhjet e 11 majit dhe flet për ligjet ndërkombëtare e dokumentin e Kopenhagenit për zgjedhjet e lira, ndërkohë që procesi i numërimittë votave po shkon drejt fundit dhe nuk ka asnjë ndryshim rezultati. Në një deklaratë për mediat nga selia blu kreu demokrat thekson se ajo që ka ndodhur me 11 Maj, është një përmbysje e plotë e parimeve më themelore të zgjedhjeve të lira.
“Në ligjet ndërkombëtare, dokumentin e Kopenhagenit për zgjedhjet e lira, Kushtetutën e vendit dhe kodin zgjedhor, kërkohet që në një proces zgjedhor të zhvillohet në përputhje me përcaktimet e këtyre ligjeve, këtyre parimeve. Në të kundërt ai nuk është një proces zgjedhor, por një farsë zgjedhore. Ndaj dhe unë kërkoj mirëkuptimin e medieve të heqin nga fjalori i tyre zgjedhje dhe të zëvendësojnë me fjalën farsë zgjedhore. Kjo sepse në këto zgjedhje u shkelën parimet më themelore të zgjedhjeve të drejta, për të cilat Shqipëria ka firmosur dokumentin e Kopenhagenit. Shqipëria ka mishëruar këtë dokument dhe parimet e këtij dokumenti në Kushtetutën e vendit dhe në kodin zgjedhor. Ajo që ka ndodhur me 11 Maj, dhe të gjithë periudhën pararendëse, për zgjedhjet e 11 Majit, është një përmbysje e plotë e parimeve më themelore të zgjedhjeve të lira, të cilat kërkojnë që zgjedhësit të shprehin mendimin e tyre lirshëm për përfaqësuesit që zgjedhin”, u shpreh Berisha.
Sipas kreut demokrat kontrolli i vullnetit të zgjedhësve ishte i gjithëformshëm, i shumëformshëm dhe i përhapur në mbarë vendin.
“Është bërë tashmë e njohur se kontrolli i vullnetit të zgjedhësve ishte i gjithëformshëm, i shumëformshëm dhe i përhapur në mbarë vendin. Ishte i gjithëformshëm nga miklimet, nga influencat gjer tek kërcënimet dhe revolja në ballë. Pra, parimi, cilido që kërkon të ballafaqohet me të vërtetën, duhet të lexojë dokumentet ndërkombëtare dhe kombëtare për zgjedhjet, në rast se ai do të respektojë dinjitetin e tij, vlerat e vërteta që beson ose duhet të besojë”.
Një tjetër parim sipas Berishës që u shkel në këto zgjedhje është edhe ai që ndan shtetin ligjor nga shteti partiak, duke e bërë garën sipas tij fiktive.
“Që Shqipëria pati farsë elektorale, të cilën njerëzit e lirë kurrë nuk mund ta pranojnë. Në këto zgjedhje dhe në këtë vend u shkel një parim tjetër ndër më themelorët i një sistemi demokratik. Parimi kusht që ndan shtetin ligjor nga shteti partiak. Dhe kjo ndodhi në mijëra e mijëra raste. Çfarë thotë pika 5, fraksion 4? Zotohen për një ndarje të qartë të shtetit dhe partive politike. Në veçanti, partitë politike nuk do të përzihen me shtetin. Ja pra çfarë përcakton dokumenti ndërkombëtar për zgjedhje të drejta. Që në momentin kur ti garon me një parti shtet, ato nuk janë zgjedhje por janë farsë elektorale. Merr fund procesi zgjedhor sepse garë nuk ka. Gara është fiktive për arsye se ti ke në fushë në ndeshje një shtet që ka mbrapa buxhete miliardash, që ka një logjistikë të pafundme, që ka të gjitha mjetet e dhunës dhe një apo disa forca politike pa asnjë lloj mjeti mbrojtës ndaj këtij shteti barbar në raport me zgjedhjet”. (A2 Televizion)