"Diella" është vetëm fillimi! Qeveria me plane ambicioze për të përfshirë "AI" kudo në Shqipëri

Nga Marjo Brakaj
2 Tetor 2025, 15:20 | Ekonomi

“Diella” është vetëm fillimi! Planet e qeverisë janë më shumë se ambicioze. Brenda vitit 2030, Inteligjenca Artificiale pritet të bëhet pjesë e së përditshmes për qytetarët, sipërmarrësit dhe institucionet shqiptare. Nga zgjidhja e problemeve më të thjeshta, te reformat që lidhen drejtpërdrejt me integrimin europian, teknologjia pritet të transformojë mënyrën se si jetojmë, punojmë dhe ndërveprojmë me shtetin.

“Teknologjia sot është në zhvillimin më të mrekullueshëm bashkë me Inteligjencën Artificiale që ndihmon në zhvillimin e shpejtë të ekonomisë dhe proceseve. Impakti i TIK në ekosistemin e  bizneseve shqiptare dhe qeverinë është shumë i rëndësishëm pasi na ndihmon të hyjmë më shpejt në BE dhe të konkurrojmë aty”, theksoi Enkelejda Imeraj, drejtoreshë e Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës.

“Dhe ajo që është fantastike e këtij lloj zhvillimi, këtij lloj revolucioni në ekonominë digjitale, është se ai prek çdo aspekt të jetës së qytetarëve – nga shërbimet publike tek mundësitë për bizneset e vogla dhe startup-et lokale”, u shpreh Anula Ristani, kryetare e Komanduar e Bashkisë Tiranë.

Kush nuk e kap ritmin është i destinuar të mos ecë përpara.

“Të gjitha ato biznese dhe institucione që nuk përqafojë teknologjinë dhe inteligjencën artificiale janë të destinuara të vdesin”, deklaroi kryetar i Komisionit për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, Eduard Shalsi.

Dhe ndërkohë që vizioni për vitin 2030 mbetet i qartë, sfidat e së tashmes janë të dukshme. Qytetarët, bizneset dhe institucionet shqiptare po pajisen gjithnjë e më tepër me sisteme sigurie ku përfshihen edhe kamerat. Kjo sa për të parandaluar vjedhjet aq edhe por edhe për të shmangur rreziqet që vijnë vjedhja e të dhënave.

“Ka ndërgjegjësim gjithnjë e më të madh te bizneset dhe qytetarët për përdorimin e teknologjisë dhe shërbimeve online. Sfida është që ky ndërgjegjësim të shoqërohet edhe me masa të forta sigurie dhe me investime më serioze në infrastrukturën digjitale”, shprehet Erion Demiri, ekspert IT.

Po siç ofron avantazhe, teknologjia kërkon edhe kujdes të shtuar. Sulmet kibernetike janë “thembra” e Aklit për botën digjitale.

“Ka sulme kibernetike pothuajse çdo ditë dhe kjo tregon se rreziku është real. Bizneset dhe institucionet publike duhet të jenë më të përgatitura, sepse mbrojtja nga këto sulme është po aq e rëndësishme sa vetë zhvillimi i shërbimeve digjitale”, thotë Greta Daçi, menaxhere projektesh OneTech.

Duke i mbajtur sytë te 2030-a, por me këmbët tek e tashmja, aktorë nga teknologjia, inovacioni dhe inteligjenca artificiale u bënë bashkë me përfaqësues të institucioneve publike në forumin “Future2Tech” që zhvillohet në Pallatin e Kongreseve në kryeqytet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos