Vrasja e biznesmenit italian 44-vjeçar në Tepelenë ka ngritur shumë pikëpyetje, për vetë mënyrën sesi u zhvilluan hetimet për këtë ngjarje.
Prestigjozja italiane “Corriere della Sera”, e ka rikthyer në vëmendje këtë ngjarje, duke pretenduar se vrasja e Edoardo Sarchit nuk ka ardhur nga një sulm me armë zjarri, por nga dhunimi me sende të forta.
Kjo pasi sipas medias italiane, në vendngjarje nuk janë gjetur gëzhoja, shkruan A2 CNN. Po ashtu, ‘Corriere della Sera’ shkruan se dyshime të tjera lindin edhe pas dëshmive të tre anëtarëve të familjes Braçi, të cilët u shoqëruan nga policia, pasi ndodheshin me viktimën në momentin e vrasjes, dëshmi të cilat kanë qenë kontradiktore.
Sipas medias italiane, fillimisht ata deklaruan se një person i armatosur që lëvizte në këmbë iu kishte dalë përpara dhe kishte qëlluar me breshëri armësh drejt tyre. Ndërsa një version tjetër i dëshmisë lidhet me një debat për dritat e gjata të makinës mes Sarchit dhe 48-vjeçarit Kamber Sulçaj, i dyshuar si autori i vrasjes. Pra, në fillim autori u raportua se ishte në këmbë, ndërsa më vonë rezultoi se kishte lëvizur me automjet.
Po ashtu, në artikull thuhet se biznesmenit italian 44-vjeçar nuk i është kryer ekspertiza mjeko-ligjore pas vrasjes, ndërsa ceremonia mortore u organizua shumë shpejt nga bashkëshortja e tij, Majlinda Taga, e cila është gjithashtu aksionere në bizneset e viktimës dhe shtetasit Gazment Braçi.
Në artikullin e saj, “Corriere della Sera” ngre dyshimin se 44-vjeçari Edoardo Sarchi është vrarë nga personat që kanë bërë denoncimin për vrasjen. Ky dyshim mbështetet mbi dëshmitë e tyre kontradiktore, si dhe mbi faktin që ata janë emra të njohur për autoritetet në Shqipëri, për ngjarje të dhunshme të ndodhura më parë.
Sipas medias italiane, hetimi për këtë ngjarje konsiderohet i mbyllur, edhe për faktin se ortakët e 44-vjeçarit kanë lidhje familjare me një eksponent të fuqishëm në politikën shqiptare, përcjell A2 CNN.
Ndërkohë, autori i pretenduar nga autoritetet shqiptare, 48-vjeçari Kamber Sulçaj, vijon të jetë në arrati dhe pritet që Prokuroria të kërkojë masën e sigurisë për të.
(A2 Televizion)