Nga Partia Socialiste në harkun e dy orëve, zëdhënësja për zgjedhjet Silda Çepe, njëherësh kandidate për deputete në listën e hapur të Tiranës, ka dalë dy herë për t’i bërë thirrje qytetarëve që të votojnë.
Kur kanë ngelur edhe dy orë nga mbyllja e qendrave të votimit, Çepe kërkoi që shqiptarët t’u drejtohen masivisht kutive të votimit, për të vendosur nëse Shqipëria do të shkojë përpara drejt Europës apo në drejtim të paditur.
“Deri në mbylljen e kutive të votimit kanë mbetur edhe pak orë dhe çdo votë e juaja ka rëndësi. Në këtë ditë të jashtëzakonshme për demokracinë tonë secili prej jush ka mundësinë të vendosë nëse Shqipëria do të shkojë përpara apo do të shkojë në drejtim të paditur. Prandaj i bëjmë thirrje çdo prindi, çdo nëne, çdo babai, çdo gjyshi e gjysheje, që të mendojnë për fëmijët e tyre, nipërit e tyre dhe të dalin e të votojnë. I bëjmë thirrje çdo sipërmarrësi, çdo profesionisti, çdo punëtori dhe fermeri që me mundin e djersën e tyre e kanë çuar këtë vend përpara që të dalin e të votojnë. U bëjmë thirrje të rinjve e të rejave, që besojnë te Shqipëria moderne dhe evropiane që të dalin dhe të votojnë. Dilni dhe votoni. Merrni me vete një të afërm, një mik, një fqinj dhe votoni për Shqipërinë që meritoni. Vota juaj është fuqia juaj. Përdoreni atë”, ishte mesazhi i Çepes. (A2 Televizion)