“Do të shkojmë në 1 milion vota”, Rama: Na duhet një vit e gjysmë për të vënë gjërat në vijë drejt BE

Nga Arestina Skënderi
17 Mars 2025, 14:05 | Politikë

Kryeministri Edi Rama shprehu bindjen se, me votën e diasporës, socialistët do të arrijnë të marrin afro 1 milion vota në zgjedhjet e 11 majit, shkruan A2 CNN.

“Ne jemi këtu, mishërimi i vullnetit të afro 800 mijë shqiptarëve, dhe me votën e diasporës mund të shkojmë afro 1 milionëshit. Është e pamundur të mos mendojmë dhe të mos përpiqemi që këtë forcë t’ua vëmë në dispozicion të gjithëve”, tha Rama.

Pohimin e bëri gjatë një takimi me ekipin garues për Qarkun e Tiranës, ku Rama u kërkoi votën shqiptarëve më 11 maj, me qëllim dërgimin e vendit drejt BE-së, këtë herë duke i vendosur një afat për përmbushjen e këtij objektivi.

“Na duhen 1 vit e gjysmë, jo më shumë, për t’i vënë të gjitha gjërat në vijë dhe për të përmbyllur gjithçka. Dhe më pas, vetëm parlamentet e vendeve të tjera do të jenë ngjarje historike më vete, ku çdo parlament do të votojë që Shqipëria të jetë anëtare e BE-së dhe do të çohet në këmbë për ta duartrokitur”, tha Rama.

Në mbyllje të fjalës së tij para kandidatëve për deputetë të Qarkut të Tiranës, Rama tha se Partia Socialiste u ka dhënë mundësinë të gjithëve që t’i bashkohen, duke shkëmbyer edhe batuta me ata që dikur ishin kundërshtarët e tij politikë, ndërsa tani garojnë në listat e socialistëve.

“Kemi një ballist këtu, Halit Valterin, që kur na njohu, nuk na u nda më. Shko edhe thuaju të tuve: hajdeni këtu, se mbetët në kënetë! Hudhër më të mirë në një shtëpi politike sesa të kesh një ballist në fasadë, nuk ka”, tha kryeministri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos