Zhvillimet e fundit në bashkitë e vendit kanë sjellë reagimin e deputetes demokrate Jorida Tabaku, sipas të cilës, ajo që po ndodh me bashkitë dhe show-n e radhës të maxhorancës është një ndërhyrje e paprecedentë në pushtetin vendor dhe një shkelje flagrante e autonomisë vendore.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku e konsideron shkelje ligjore dhe institucionale faktin që ministrat e qeverisë marrin në intervistë punonjës të bashkive apo ndërhyjnë në strukturat e tyre përmes rekrutimeve të reja dhe pushimeve nga puna. Ajo nënvizon se pushteti lokal është një pushtet i pavarur nga ai qendror, i zgjedhur me votë nga qytetarët dhe i mandatuar për të ushtruar funksione të caktuara në përputhje me ligjin dhe interesin publik.
“Bashkitë nuk mund të trajtohen si zyra varësie të Partisë Socialiste apo të ndonjë ministrie. Ministrat nuk mund të vihen në radhë për të marrë në intervistë stafet e bashkive, të cilët janë të zgjedhur me votën e qytetarëve. Kjo është një shkelje e rëndë e parimeve të ndarjes së pushteteve dhe rrezikon thellësisht demokracinë,” u shpreh Tabaku.
Deputetja demokrate shtoi se situata aktuale, ku pushteti qendror po tenton të mbledhë çdo fuqi në një dorë të vetme, është e rrezikshme për vendin. Sipas saj, vendosja e strukturave, përcaktimi i pagave dhe imponimi i stafit kalojnë çdo kompetencë që një qeveri duhet të ketë në raport me pushtetin lokal.
Tabaku u shpreh se respektimi ndarjes së pushteteve dhe mbrojtja e autonomisë së pushtetit vendor si janë themel i demokracisë funksionale. (A2 Televizion)