Të mërkurën Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi zyrtarisht se do të shpërndajë mandatet parlamentare për Qarkun e Tiranës, por dy udhëheqësit e Koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, nuk i shfrytëzuan 24 orët e fundit për të gjetur një mirëkuptim se kush prej tyre duhet të shkojë në Kuvend.
Adriatik Lapaj theu heshtjen dhe doli para mediave me një sfidë për Endri Shabanin, aleatin e tij në koalicion.
“Z. Shabani, ju pres! Ejani të respektojmë marrëveshjen, të japim dorëheqjen dhe mandatin ta marrë ajo që qytetarët e zgjodhën me votë të lirë – znj. Greta Ambeli, kandidatja më e votuar e Lëvizjes Shqipëria Bëhet”, deklaroi Lapaj.
Por teksa Lapaj i bënte këtë ftesë publike, Shabani i kishte dhënë një tjetër përgjigje në mediat sociale. Teksa publikoi marrëveshjen e firmosur para zgjedhjeve, kreu i Nisma Thurje kërkon prej dajës së tij dhe kushërirës së Lapajt që të mos pranojnë mandatin, por sërish kërkon dhe nga kreu i Shqipëria Bëhet të mbajë premtimin për dorëheqje.
“Shqipëria Bëhet pretendon se premtimi i Adriatikut për dorëheqje nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes së koalicionit. Po as premtimi i Zeqirit nuk ka qenë. Atëherë pse i kërkohet dorëheqja Zeqirit, por jo Adriatikut? Apo funksionon parimi: “bëj si të them unë, jo si bëj unë”? deklaroi Shabani.
Është fakt që 46 kandidatë të listës së fiksuar dhanë fjalën e tyre që do të dorëhiqeshin për t’u hapur rrugë kandidatëve të listës së hapur. Një zotim moral, jo ligjor. Një fjalë e dhënë - si ajo e Adriatikut. Dhe në këtë vend, fjala ka qenë gjithmonë më shumë se një firmë në letër. Ka qenë besa! Prandaj Zeqiri dhe Kleana duhet të mbajnë fjalën për të dhënë dorëheqjen”.
I pyetur për këtë reagim të Shabanit, Lapaj pohon se nuk do ia lërë kurrë mandatin Zeqir Kordhonit dhe hedh dyshime se daja i kreut të Nismës Thurrje, mund të këtë pranuar marrëveshje me palë të treta për t’i dhënë Partisë Socialiste mandatin e 84.
“KQZ nuk mund të kalojë mandat atyre që rrugës mund të jenë presionuar, mund të jenë shitur dhe mund të kenë bërë Pazar me këtë kauzë të shenjtë. Çfarë të bëj unë, të dhuroj mandatin te një parti tjeëtër? T’ia lë dajos së zotit Shabani dhe të shkojë të bëj 84 vota Edi Rama. Se nesër do më kërkoni llogari e do thoni na bërë gjëmën, i dhe 84 vota Edi Ramës”, tha Lapaj.
Sipas Lapajt oferta nga mazhoranca kanë qenë edhe në adresë të tij, por nuk ka pranuar.
“Zoti Rama në këto dy muaj me metodat e veta ka synuar që të më çojë në vathën e vetë, por unë nuk kam pranuar dhe ky është shpërblimi që po bëhet për të më ndalur në këtë rrugë mua dhe ne si lëvizje. Në si lëvizje duam garën, duam meritokracinë”, thotë Lapaj.
Pavarësisht deklaratave nga të dyja palët për dorëheqje apo revokim dorëheqjesh, do të jetë Komisioneri Ilirjan Celibashi ai i cili do të vendosë pikat mbi “I” se kush do të jetë deputet i koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet. (A2 Televizion)