Drafti i Kodit Penal, Rama u përgjigjet kritikëve: Problemi më serioz është liria për të bërë sherr

Nga A2 CNN
4 Gusht 2025, 16:11 | Politikë

Drafti i Kodit Penal, Rama u përgjigjet kritikëve: Problemi më

Kritikave të shfaqura ditët e fundit mbi draftin e Kodit Penal, kryeministri Edi Rama u është përgjigjur me një postim në mediat sociale. Me ironi, kreu i qeverisë i quan të alarmuar të gjithë ata që kanë shprehur kritika për draftin e Kodit Penal.

“Të alarmuarit nga drafti i Kodit të ri Penal dhe gojëmbyllja me ligj e forcave liridashëse politike dhe mediatike, mbase duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell”, shkruan kryeministri.

Më tej Rama thekson se drafti është hartuar nga ekspertë dhe është prezantuar publikisht me qëllimin për të mbledhur sa më shumë opinione, në mënyrë transparente dhe demokratike.

Sipas tij nuk është drafti i kodit apo ndonjë rrezik për lirinë, por mënyra sesi një pjesë e individëve e përdorin atë.

“Hëpërhë problem më serioz që ka liria në Shqipëri nuk është as regjimi, as drafti i kodit të ri jo e jo, po masa domethënëse e atyre që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr e shamata për mungesën e saj”, përfundon reagimin e tij kreu i qeverisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos