Dule akuzon: Tavo hyri në zgjedhje me 1000 vota plus! Himara gdhihet të hënën me 2 kryebashkiakë të zgjedhur

Nga A2 CNN
4 Gusht 2024, 14:45 | Politikë

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, akuzoi kandidatin e Partisë Socialiste për Bashkinë e Himarës, Vangjel Tavo, se ka shtuar zgjedhës fiktivë, ndërkohë që u ka mohuar banorëve vendas të drejtën e votimit.

“Zoti Tavo, me zë dhe figurë, pohoi publikisht se ai ka transferuar gjendjen civile të disa qytetarëve që nuk janë banorë të Bashkisë së Himarës me qëllim që të mbrojë votën e tij. Në cilat parime kushteutese mbështetet ky veprim. Kush janë autoritetet shtetërore që e kanë ndërmarrë këtë veprim. Janë gjithsesj 311 zgjedhës që janë shtuar në listat e zgjedhjeve të sotme, krahasuar me listat e majit 2023”, tha Dule nga Himara.

Ai tha se këto shkelje janë kallëzuar në SPAK por nuk ka pasur asnjë veprim nga ky institucion. “Po ashtu kandidati i PS pohoi me zë e figurë se ka shpërndarë mbi 1200 tituj pronësie dhe janë dhe plot 600 të tilla për t’u shpërndarë. Çfarë mund të presë një organ drejtësie pas pohimeve të tilla publike. Në këto zgjedhje, plot 6157 zgjedhës, nga 23074 zgjedhës, pra mbi 25% u privohet e drejta kushtetuese e zgjedhjes me mosnxjerren e vendimit përkatës nga qeveria për të votuar me karta apo pasaporta që u kanë kaluar data e skadencës. Shifrat tona tregojnë se janë mbi 600 qytetarë që janë paraqitur në qendrat e votimit dhe u është refuzuar pjesëmarrja. Këto janë vazhdim i zgjedhjeve të vitit 2023 dhe për rrjedhojë, duke qenë i njëjti mandat, nuk duhej vendim i ri për t’u dhënë mundësi zgjedhësve për të votuar. Me një llogari të thjeshtë, me 311 zgjedhës të importuar në Himarë nga zoti Tavo, plus mbi 600 zgjedhës të cilëve deri tani u është privuar e drejta e votimit, kandidati i PS ka hyrë në këtë proces zgjedhor me plus 1000 vota krahasuar me kandidatin e opozitës”, shtoi ai.

Javën e kaluar, në një intervistë për A2 CNN, zoti Tavo iu përgjigj akuzave se ka shtuar zgjedhësit duke u zotuar publikisht se nëse nuk do të fitonte me më shumë se 1000 vota diferencë ndaj zotit Petro Gjikuria, atëherë nuk do ta pranonte mandatin e drejtimit të Himarës.

Dule i quajti zgjedhjet e kësaj të diele më absurdet që mund të ndodhnin. “Një proces që mbështetet në një dekret presidencial i cili është ankimuar nga PBDNJ dhe ende nuk ka një vendim të formës së prerë në lidhje me kushtetutshmërinë e këtij dekreti”, tha ai.

Ai shtoi se Himara do të gdhihet të hënën me dy kryebashkiakë të zgjedhur. “Mandati i kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, zotit Fredi Beleri, nuk është i ndërprerë konform ligjit dhe me vendim të formës së prerë. Është për t’u gjykuar ankimi në KAS i PBDNJ dhe zotit Beleri, të depozituara brenda hapësirës kohore të 30 ditëve që parashikon ligji dhe procedura”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos