“Lajmësi nuk preket!” Me këtë citim, Edi Rama u shfaq në publik si avokat i gazetarëve, pavarësisht se raportet ndërkombëtare mbi lirinë e medias në Shqipëri kanë qenë kritike gjatë viteve të qeverisjes së tij. Dikur i etiketonte si “kazan”, pa hezituar përballjen publike, por sot në vitin e 11-të të pushtetit, Kryeministri ka zgjedhur strategjinë e kundërt, duke dalë në mbrojtje të lajmësit edhe kur janë organet e drejtësisë që kërkojnë t’i mbyllin gojën.
“E drejta e informimit dhe dhënia e informacionit nuk janë sekret hetimor. Sekreti hetimor është diçka tjetër, por edhe këtu unë përfitoj nga rasti se shoh Avokaten e Popullit që ta falënderoj Avokaten e Popullit dhe të solidarizohem me Avokaten e Popullit lidhur me një rast të një gazetari, i cili u akuzua dhe u keqtrajtua për nxjerrje të sekretit hetimor. Për mua, gazetarët nuk nxjerrin sekret hetimor se gazetarët nuk i disponojnë sekretet hetimore. Sekretet hetimore i disponojnë prokurorët kështu që kur gazetarit i bie në dorë sekreti nuk është më detyrimi i tij të ruajë sekretin dhe nuk shkon drejt tij hetimi, por shkon drejt atyre që ia dhanë atij”, tha Rama.
Vendimet e Këshillit të Ministrave nuk janë kampion i transparencës dhe shpesh detajet e akteve nuk publikohen në faqen online të Qeverisë. Pavarësisht kësaj, Kryeministri kërkoi nga institucionet e tjera që të mos e konsiderojnë si pronë private dokumentacionin që disponojnë.
“Çdo vendim qeverie, çdo vendim institucioni, çdo pjesë e dokumentacionit të çdo marrëveshje, të çdo marrëdhënie kontraktuale që nuk hyn në atë hapësirën e ngushtë të konfidencialitetit, duhet të jetë publike dhe ambicia jonë e përbashkët duhet të jetë që në fund të këtij viti ne të kemi një përmbysje të të gjithë përmbajtës jo të kënaqshme të të dhënave për aksesin e publikut në informim dhe për garantimin e të drejtës së informimit”, tha Rama.
Në takimin e konferencës kombëtare për të drejtën e informimit Rama propozoi krijimin e një bordi kombëtar, në të cilin qeveria së bashku me komisionerin për të drejtën e informimin dhe Avokatin e Popullit do të monitorojë në transparencën e pushtetit qendror dhe atij lokal. (A2 Televizion)