Edlira Çepani kandidate e PD për Tiranën? Qafoku zbulon përplasjet brenda opozitës

Nga A2 CNN
24 Shtator 2025, 21:02 | Politikë

Gazetari Roland Qafoku ka zbuluar prapaskenat brenda opozitës për gjetjen e kandidatit për Bashkinë e Tiranës. Duke folur në emisionin Off the record të Andrea Dangllit, ai tha se opozita po merret me çështje dytësore dhe po harxhon energji në vend që të paraqesë një alternativë të fortë përballë Partisë Socialiste.

“Opozita po rrotullohet rreth diçkaje që nuk e nxjerr te qëllimi final, që është një alternativë e fortë. Shihni sa para është Partia Socialiste. Kur PS nis një aksion politik, PD merret akoma me Diellën. Rama e përdori Diellën si karrem, jo vetëm që i shërbeu për qeverinë, por e futi edhe opozitën në këtë vorbull”, tha Qafoku.

Ai zbuloi se në diskutim është hedhur edhe emri i Edlira Çepanit, një figurë e shoqërisë civile, si kandidate e mundshme për Tiranën. Por, sipas tij, në radhët e opozitës ka rezerva.

“Është hedhur një emër aty, Edlira Çepani, e shoqërisë civile për kandidate për kryetare të Bashkisë së Tiranës, por jo thonë aty, duhet njeri politik. Por ç’politik mor?! Një nga ata të 50-të që janë aty?! Ata e kanë mbaruar këtë legjislaturë. Me 50 vota çfarë do të bëjnë ata?! Ata nuk ndikojnë fare atë mazhoranca”, theksoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos