Ekskluzive/ Kandidati i PD: Po përgatitet vizita e Berishës në SHBA. Non Grata do bjerë para 11 majit

Nga A2 CNN
27 Prill 2025, 22:32 | Politikë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha do të udhëtojë së shpejti për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lajmin për vizitën e Berishës e ka zbuluar kandidati i Partisë Demokratike për deputet, Aulon Kalaja në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, teksa diskutohej për kontratën e lobimit për heqjen e non-gratës ndaj Berishës, për të cilën janë paguar 6 milionë dollarë.

“Unë mendoj që ky Chris LaCivita që është vetë mesazhi, i ka shqetësuar shumë këta këtu. Unë jam habitur me thënë të drejtën kur ka ardhur në Shqipëri. Nuk e kam mëndu se vjen në Shqipëri. Këtyre bravo u qoftë që e sollën. Është mesazh shumë i rëndësishëm. Kini parasysh që këtu paska zbarkuar krejt Amerika. Se po flasim për avokatin e Trumpit. Avokati i Trumpit po, ai që i bëri fushatën po, se na thanë Shqipëria është një pikë ujë në oqean, nuk vijnë amerikanët. Këtu po përgatitet me ju heq dhe non-grata mesa duket Berishës, me gjithë këtë furi gjërash. Ose përgatitet vizita e tij në Amerikë, qe e kam si informacion domethënë”, tha Kalaja në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN.

I pyetur nëse kjo vizitë e Berishës në SHBA do të ndodhë para zgjedhjeve, Kalaja tha: “Nuk e di, nuk jam fallxhor”.

Ai sqaroi më tej edhe formën në të cilën mund të realizohet ky udhëtim, duke nënvizuar se mund të ndodhë një precedent i ngjashëm me atë të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti.

“Po të them ça di unë. Unë di që këta po punojnë që ta çojnë në Amerikë, Berishën. Ta çojnë në një lloj forme siç shkoi për shembull Ali Ahmeti njëherë e një kohë, që ishte non-grata por shkoi në aeroport, e ndaluan dhe pastaj erdhi një senator amerikan, e mori dhe e futi brenda në Amerikë. Mund të jetë një precedent i tillë. Këtë që thash tani, e them me përgjegjësi”, sqaroi kandidati i PD më tej. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos