Nënkryetari i Këshillit Bashkiak Tiranë dhe njëkohësisht Këshilltari për Çështjet Ekonomike PD, Dorjan Teliti, ka reaguar ndaj emërimeve të fundit në bashkinë e kryeqytetit.
Në një postim në rrjetet sociale, Teliti shprehet se kjo është një përpjekje e dëshpëruar për të mbushur boshllëkun e legjitimitetit të humbur. Sipas tij Tirana nuk ka nevojë për "inxhinierë" të tjerë të zvarritjes dhe çimentimit të keqadministrimit që po mbyt këtë qytet.
“Emërimet e katër nënkryetarëve në Bashkinë e Kryeqytetit nuk janë gjë tjetër veçse tentativa e dëshpëruar për të mbushur boshllëkun e një legjitimiteti të humbur, duke gjetur "prestanome" të rinj për t'u shfaqur nëpër ekrane! Tirana nuk ka nevojë për "inxhinierë" të tjerë të zvarritjes dhe çimentimit të keqadministrimit që po mbyt këtë qytet. Populli i Tiranës nuk është i mashtrueshëm. Tiranës nuk i duhet asnjë "zgjidhje" kozmetike që thellon varësinë e qeverisjes lokale ndaj asaj qendrore”, shkruan Teliti.
Teliti kërkon zgjedhje të parakohshme si zgjidhje të vetme për rikthimin e legjitimitetit dhe përmirësimin e qeverisjes vendore.
“Tiranës i duhet i duhet rinia, i duhet vizioni, i duhet kurajo dhe mbi të gjitha profesionalizmi dhe besnikëria ndaj interesave të saj zhvillimore. E vetmja rrugë për të ecur përpara janë zgjedhjet e parakohshme! Sa më shpejt të shkojmë drejt tyre, aq më shpejt Tirana do të marrë frymë lirshëm. Mjaft më me zvarritje!”, përfundon Teliti.
(A2 Televizion)