Foltore 2 në PD? Çollaku: Berisha është në vështirësi! Bllokim mandatesh në shtator

Nga A2 CNN
30 Korrik 2025, 19:08 | Politikë

Kreshnik Çollaku thotë se Partia është në situatë tepër të vështirë pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit. “Në një demokraci normale, ata që fitojnë, fitojnë sepse qeverisin mirë. Paradoksi këtu është se kemi një qeveri që vjen prej tre mandatesh, që sigurisht në të gjitha parametrat rezulton me dështime, niveli ekonomik është më i ulët, papunësia është më e lartë, numri i atyre që lënë vendin është më i lartë dhe megjithatë fiton zgjedhjet, fiton thellë. Unë nuk jam ndër ata që kërkoj fajin vetëm te njëra palë. Ky është një dëm për vendin dhe zhvillimin e tij. Tashmë është instaluar një fuqie e cila tejkalon politikën, fuqia e Ramës e grupit të tij që mban maxhorancën. Gati-gati nuk mund ta quaj Parti Socialiste. Është detyrë e Partisë Demokratike, minimalja ekspozimi i këtij fenomeni të instaluar tanimë dhe ekspozimi para opinionit publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë. Prandaj jam në mbështetje të asaj që po bën PD dhe zoti Berisha”, tha Çollaku në një intervistë me Loneta Prognin në A2 CNN.

 

“Por thënë këtë, refuzoj nga ana tjetër, që debati të ndalet këtu. Vjedhja dhe manipulimi i zgjedhjeve është fenomen i përsëritur dhe viktimë është opozita dhe PD. Mendoj që sot është koha për të thënë hapur se “po, kjo vjen si produkt i kësaj industrie vjedhjeje dhe përdorimi të pushtetit, por vjen edhe për një defekt kronik, gati sëmundje tanimë, paaftësie të opozitës, për të krijuar antikorpet mbrojtëse apo asgjësuese të kësaj industrie të manipulimit të votave”. Pra kjo është një humbje apokaliptike e 11 majit, patjetër për shkak të kësaj industrie kriminale të manipulimit të votave, por po aq përgjegjëse është edhe paaftësia jonë, për ta kuptuar veten, maxhorancën dhe shoqërinë për ta parandaluar këtë fenomen.  Në disa parametra, vë re se aftësia jonë për ta frenuar këtë fenomen, është përkeqësuar”.

Sipas tij, pas ekspozimit të farsës elektorale, është jetike për fatin e opozitës dhe shoqërisë shqiptare që të fillojë një debat i shëndetshëm. “Duhet të dëgjojmë edhe njerëzit, edhe ata që na kritikojnë. Mendoj që është proces jetik për PD dhe shoqërinë. Nëse është farsë elektorale i duhet dhënë përgjigjja”, tha Çollaku.

Ai shtoi: “Përgjigja ndaj një farse elektorale dhe unë e ndaj këtë mendim, atëherë produkti i farsës elektorale nuk mund të jetë përfaqësimi në Parlament i një grupi totalisht të pavlefshëm dhe të parëndësishëm tanimë në vota i opozitës, që nuk vlejnë për asgjë. Pra po e them troç, në rast se opozita apo kolegët deputetë shkojnë në Parlament dhe fillojnë jetën normale duke bërë interpelanca për bujqësinë apo kodin rrugor, i bie që beteja për farsën elektorale kthehet në vetvete një farsë. Nëse do të shkojnë në Parlament, teza e farsës bie. Nuk do të isha për një refuzim të mandateve, por bllokim të mandateve. Pra do t’i kërkoja të shkojnë vetëm 8 herë në Kuvend. Të shkojnë ditën e parë, të marrin mandatin, të shkojnë pas 6 muajsh që të mos e djegin dhe të paraqiten çdo 6 muaj për të mos e djegur mandatin. Mendoj që është e vetmja gjë proporcionale me situatën”.

Por sipas Çollakut situata e krijuar nuk ia bën të lehtë punën kryetarit të PD. “Zoti Berisha është në vështirësi të madhe me situatën që është krijuar. Është thuajse aktori i vetëm, prodhuesi i një kontingjenti jo të vogël votash që mori PD, rreth 500 mijë vota. Mendoj që ai më shumë se çdo tjetër po vuan konfliktet e brendshme në PD, ku partia mbeti e përçarë, sidomos në bazë. Fryma sektare në parti ka dalë jashtë kontrollit. Zoti Berisha është në mes të këtij ngërçi, midis njerëzve që nuk kanë synim as dashurinë për Berishën, por karrierat e tyre, rrogat parlamentare, përfituan në mënyrë brilante nga kjo tollovi, dhe sot nuk janë të interesuar për të vazhduar status quo-në. Është jetike që këto procese të ndodhin. Ka nevojë të ulemi, në Kuvend apo Foltore, në mënyrë urgjente të ndërrojmë status quo-në e PD. Dhe këtu ka rol zoti Berisha. Ketë peshë të tij historike në parti duhet ta vërë në shërbim të këtij procesi kritik. Ka pasur momente që më është dukur se i vetmi që ka dashur bashkimin e demokratëve. Këta që thonë të iki Berisha, nuk janë të sinqertë. Nuk e di si do e zgjidhi statutin. Por Berisha si faktor politik, është vendimtar. Një njeri që mbledh i vetmi 400-500 mijë vota, nuk mund t’i thuhet “ik ti se do të vijmë ne”. Por vetëm me këto vota nuk vihet në pushtet. Duhen edhe një  herë kaq”, tha ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos