Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve i ka kërkuar Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, të nisë procedurat për kallëzim penal në prokurori ndaj anëtarëve të grupeve të numërimit të partive politike në qarqet ku u krye rinumërimi i votave.
Sipas KAS, gjatë këtij procesi janë konstatuar mospërputhje të theksuara midis tabelave të rezultateve të miratuara nga Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) dhe gjendjes reale të fletëve të votimit.
KAS thekson se këto mospërputhje, në disa raste, tregojnë tjetërsim të rezultatit të votave nga anëtarët e grupeve të numërimit. Për këtë arsye, kërkohet një hetim administrativ për të dalluar nëse bëhet fjalë për shkelje administrative apo për vepra penale që duhen ndjekur nga organet e drejtësisë.
“Rinumërimi dhe rivlerësimi i votave në këto zona zgjedhore provoi në disa raste mospërputhje të theksuara midis tabelave te rezultatit të grupeve të numërimit nga KZAZ-të respektive dhe gjendjes faktike të fletëve te votimit në kuti gjatë procesit të rinumërimit në procedurën ankimore në KAS. Këto mospërputhje duhet të hetohen në një proces te mëtejshëm administrativ nga ana Juaj për te identifikuar anëtarët pjesë e Grupeve të Numërimit të Votave. Hetimi i mëtejshëm administrativ për rastet e sipërcituara është i një rëndësie të veçantë, sepse referuar rezultateve të nxjerra nga rinumërimi në procedurën ankimore në KAS, rezulton që, në një numër tabelash të rezultateve të numërimit dhe vlerësimit të votave, mospërputhjet e rezultateve të miratuara nga GNV-të, me ato që rezultojnë në fletët e votimit, janë të tilla që prima facie tregojnë se nga anëtarët e GNV-ve për raste të posaçme ka tjetërsim të rezultatit të votave”, thuhet në kërkesën e KAS.
Në kërkesën drejtuar Celibashit, KAS citon detyrimin e Komisionerit për të mbikëqyrur veprimtarinë e administratës zgjedhore dhe thekson rëndësinë e hetimit për integritetin e procesit zgjedhor.
“Ky hetim administrative ka rëndësi për të identifikuar dhe për të dalluar rastet që formojnë kundërvajtje administrative, rastet që ngrenë dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova për kryerjen e veprave të caktuara penale në fushën e zgjedhjeve nga rastet që nuk formojnë shkak për procedim.”
(A2 Televizion)