Kryeministri Edi Rama është shprehur se do të ketë zero tolerancë ndaj të gjithë atyre që kanë marrë dokument legalizimi në hapësirën publike duke ngritur tenda hekuri, në kurriz të komunitetit.
Komentet Rama i bëri përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, ku ka publikuar edhe fotografi nga një lokal i tillë që ka zënë hapësirën publike, shkruan A2 CNN.
Rama tha se jo vetëm që të gjitha këto ndërtime do të anulohen ligjërisht, por shtoi se “do të miratohet së shpejti, si pjesë e reformës së re të kontrollit të territorit edhe një masë për ndëshkimin penal të të gjithë atyre nëpunësve të Aluiznit dje apo të Kadastrës më pas, që kanë firmosur për këto legalizime kriminale në mes të lagjeve të qyteteve tona”.
“Për të gjitha këto lloj çmendurish me qëllim fitimi në kurriz të komunitetit, të cilat kanë marrë dokument legalizimi në hapësirën publike duke ngritur tenda hekuri, jo vetëm që do të reagohet me zero tolerancë duke i anulluar ligjërisht, por do të miratohet së shpejti, si pjesë e reformës së re të kontrollit të territorit edhe një masë për ndëshkimin penal të të gjithë atyre nëpunësve të Aluiznit dje apo të Kadastrës më pas, që kanë firmosur për këto legalizime kriminale në mes të lagjeve të qyteteve tona”, ka shkruar Rama.
(A2 Televizion)