Sulmet ndaj SPAK, Meta replikon në distancë me ambasadorin e BE

Nga Anesti Barjamemaj
2 Maj 2024, 20:20 | Politikë

Sulmet ndaj sistemit të drejtësisë, për Bashkimin Evropian, duhet të dënohen. Këtë deklaroi ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato, teksa u pyet lidhur me deklaratat e fundit të Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në adresë të kreut të SPAK, Altin Dumanit.

Gjatë një konference për mediat, Gonzato deklaroi se mbështetja për Reformën në Drejtësi është e palëkundur dhe SPAK duhet të bëjë punën pa u ndikuar: “Nuk ka standarde të dyfishta, mbështetja për sistemin e drejtësisë është e palëkundur dhe kjo nuk ka të bëjë me një rast apo një tjetër. Mesazhi është i njëjtë dhe i përhershëm: ne i japim përparësi shumë të madhe Reformës në Drejtësi. Mënyra si po funksionon dhe po tregon frytet e saj duhet ta lejojmë që të bëjë punën e vet”.

Pak orë më vonë, Ilir Meta, gjatë një konference për mediat, u shpreh se argëtohet me deklarata të tilla nga diplomatë të huaj: “Habitem që nuk kanë shqetësim këta kur Edi Rama shkel vendimet e Gjykatës Kushtetuese që ka krijuar vetë, por ne jemi mësuar me deklarata të tilla dhe argëtohemi. Detyra jonë është ta luftojmë korrupsionin e Edi Ramës me të gjitha mënyrat e format demokratike e heroike”.

Meta shkoi edhe më tej duke thënë se diplomatët e huaj kanë mbyllur sytë para kapjes së sistemit të drejtësisë nga Edi Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos