“Europa e habitur nga Tirana”, Neritan Ceka: Ndërkombëtarët duan ndryshim në Shqipëri

Nga A2 CNN
10 Qershor 2026, 23:13 | Politikë

Profesor Neritan Ceka komentoi protestën qytetare, duke theksuar se “Europa po habitet” nga ajo që po ndodh në Tiranë.

“Mendoj që është pozitive, është popullore, masive, është e padrejtuar, spontane në fjalë dhe është epokale. Pra, mbyll një epokë siç mbylli dhjetori dhe hap një epokë tjetër. Natyrisht që përmasat nuk janë aq dramatike, do të thoja që janë lirike në atë që po ndodh. Nuk ka atë dramën e fortë të dhjetorit, por së dyti, ndërsa ajo ishte brenda kufijve të Shqipërisë, ndikimi i kësaj lëvizje, i kësaj që po ndodh në Tiranë, mendoj që është i përmasave europiane”, tha Ceka për “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

“Mendoj që mbyll tranzicionin. Tranzicioni ishte një epokë iluzionesh, siç është dhe kjo lëvizje. Është një lëvizje iluzionesh tani për tani, që do ndërtohet një e ardhme shumë më e mirë. Edhe ne në dhjetor kishim iluzionet tona dhe historia e hap rrugën nëpërmjet iluzioneve, ëndrrave. Pra, një lëvizje pa ëndrra, pa iluzione nuk është më lëvizje, apo jo? Është një matematikë e thjeshtë numrash dhe këto janë zgjedhjet në përgjithësi. Këtu kemi diçka që kalon përmasat e dhjetorit sepse, siç thashë, ky është një mesazh për Europën. Këta që kanë dalë në Tiranë nuk janë vetëm në Tiranë. Këta janë në gjithë Europën. Prandaj ka dhe një ndikim kaq të madh që i habit mediat. Thonë si është e mundur që lëvizja e Tiranës pati këtë ndikim të madh në media, veçanërisht nëpërmjet internetit. Unë mendoj që interesi për ndryshim nuk është vetëm në Shqipëri. Interesi për ndryshim të epokës është kudo që ka ndodhur revolucioni i vitit 1990. Nuk ishte vetëm në Shqipëri, ishte dhe në vendet e tjera”, shtoi Ceka.

Kur u pyet pse po refuzohet edhe opozita nga protestuesit, Ceka u përgjigj: “Sepse ky sistem nuk ka ndryshuar në përmbajtjen e tij. Është një sistem i imponimit nëpërmjet mekanizmave që janë në dukje demokratike, që janë zgjedhjet, por në fakt gjithë mekanizmat që dalin, Parlamenti veçanërisht dhe pastaj të gjithë çfarë rrjedhin më pas, janë rezultat jo i shtetit, por janë rezultat i pushtetit. Dhe duket se protestuesit e kanë kapur këtë dhe nga fjalimet thonë “nuk duam pushtet, duam shtet”. Mund të themi që institucionet janë institucione të partive dhe ajo që pritet të sjellë opozita është e njëjta gjë. Nuk kemi asnjë zë të ri në opozitë për të thënë që “ne do të ndryshojmë”. Pra, kërkohet një ndryshim sistemi, nuk kërkohet një ndryshim gjeneratash vetëm”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos