Këshilltari i Partisë Demokratike, Dorian Teliti, falënderoi këshilltarët socialistë që, sipas tij, më në fund u ngritën në lartësinë e detyrës, duke miratuar propozimin për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
“Keni 7 muaj që i keni munguar kësaj lartësie dhe kjo i ka munguar Tiranës. Ky është një akt historik, që mund të ndodhë sërish pas 30-40 vitesh. Sot i bashkuat ju me ne votat, jo ne me ju. Faleminderit që po e lironi Tiranën!”, tha Teliti në fjalën e tij, përcjell A2 CNN.
Ai shtoi se Veliaj duhet të ishte shkarkuar shumë kohë më parë, për abuzimet që ka kryer gjatë mandatit të tij. “Do të doja ta pasuroja këtë projekt vendim me gjithë shkeljet dhe korrupsionin që ka kryer Erion Veliaj. Nuk duhet shkarkuar thjesht se mungoi 90 ditë, por mbi të gjithë për krimet ekonomiko-financiare që ka kryer. Do të doja që ta kishim këtu. T’ia thosha në sy këto që thashë këtu. Duhet të ishte këtu të jepte variantin e ti, por mbi të gjitha t’ia thoshim një herë të vetme në sy këto të vërteta”. (A2 Televizion)