Mungesa e vizitës së kreut të qeverisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeteve të Bashkuara i kishte bërë përshtypje Sali Berishës. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, Berisha hodhi dyshime se Ramës mund t’i kenë anuluar edhe ftesën.
“Nuk shkoi dot në Nju Jork. Kishte fiksuar dreka dhe darka që ta dinë shqiptarët me udhëheqës rajonalë, me kryeministra dhe presidentë rajonalë. U anuluan. A janë narkolidhjet apo shkaqe të tjera unë nuk mund të them, por këto të gjitha u anuluan”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.
Berisha përsëriti akuzat ndaj kreut të qeverisë se ai është i lidhur me kartetet e drogës dhe sipas tij Rama është një kërcënim për shqiptarët. “Tani ju keni parë se si, po gjuhen në oqeanin Paqësor, flota detare amerikane çdo ditë, çdo 2-3 ditë e fundos nga një anije të tyre. Por e rëndësishme shumë është të fundosen timonierët, kapitenët e tyre dhe këtu në Europë është Edi Rama. Në Europë është Edi Rama”.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura demokratët vendosën që të marrin pjesë në seancën plenare të së mërkurës dhe do të dërgojnë emrat e anëtarëve të komisioneve parlamentare. (A2 Televizion)