“Gratë e Doshit” i lënë vendin burrave! Epidemi dorëheqjesh te PSD, lista e Shkodrës drejt ezaurimit

Nga Ervin Koçi
23 Shtator 2025, 15:25 | Politikë

Tom Doshi nuk mundi ta gëzonte asnjë ditë mandatin e deputetit duke dhënë dorëheqjen që në seancën e parë të konstituimit të Parlamentit. Vullnetit të Doshit iu Bashkua edhe Sabina Jorgo duke krijuar dy vakanca në qarkun e Shkodrës. Por që nga 12 shtatori e deri më sot, nuk është mundur plotësimi i tyre.

Shkak për mosplotësimin janë refuzimet e kandidatëve për të marrë mandatin. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën të ditur se deri më tani nuk kanë pranuar katër kandidatë, dy nga lista e mbyllur dhe dy nga lista e hapur dhe këto nga lista e hapur janë zonja. Referuar dispozitave të Kodit Zgjedhor, kur një grua jep dorëheqjen, ajo zëvendësohet nga një grua tjetër, dhe e vetmja që nuk ka kthyer përgjigje është Meri Markiçi.

Interesant është fakti se në fletën e votimit, dy zonjat që kanë dhënë dorëheqjen, janë të renditura më poshtë në listë, Suada Kopshti e 12-ta dhe Migena Kalleçaj 15-ta, ndërsa Meri Markiçi e renditura e 11-ta ka afat deri në 28 shtator për të shprehur interes, në të kundërt mandati që i takon zonjave do t’i shkojë një burri.

Me ezaurimin e kandidateve zonja, gjasat janë që mandati t’i shkojë dy burrave më të votuar në listën e hapur, Besnik Brahimi dhe Shkurt Lasku të cilët do të duhet ta shprehin vullnetin duke iu adresuar KQZ-së në momentin kur Celibashi t’i dërgojë ftesën për të marrë mandatin e deputetit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos