Protesta te bashkia e Tiranës, Teliti: Rama u distancua sot nga Erion Veliaj, policia t’i vërë prangat

Nga A2 CNN
7 Maj 2024, 12:29 | Politikë

Protesta te bashkia e Tiranës, Teliti: Rama u distancua sot nga Erion

Opozita është duke protestuar prej orës 10:00 të paradites para bashkisë së Tiranës, duke kërkuar në tubimin e 6-të të tyre dorëheqjen e Erion Veliajt.

Në fjalën e tij gjatë tubimit, përfaqësuesi i PD-së në këshillin bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti u ndal te mesazhet që Edi Rama dha sot para socialistëve në mbledhjen e grupit parlamentar, duke thënë se kryeministri e lëshoi sot Veliajn, pasi ai u paraqit në SPAK.

“Falë rezistencës tuaj, Edi Rama sot bëri disa hap pas. Ai që para disa javësh i jepte mbështetjen e pakushtëzuar Erion Veliajt, sot u distancua nga ai, foli për hajdutë Edi Rama, për abuzues të ligjit, për grupe të struktura, foli për drejtorë dhe kryebashkiakë. Kjo u arrit falë qëndresës suaj dhe forcës tuaj protestuese.”

Teliti kërkoi edhe nga drejtuesit e Policisë së Shtetit që të distancohen nga Veliaj dhe me zinxhirët që kanë përdorur për të bllokuar derën kryesore të bashkisë së Tiranës, të arrestojnë dhe çojnë para drejtësisë kreun e këtij institucioni.

“I drejtohem drejtuesit të policisë sot, shiko dhe lexo distancimin që Edi Rama i bëri kryefikut të Tiranës. Hiqni zinxhirët nga dera e bashkisë, pasi këtu jashtë ka qytetarët e ndershëm, ata që janë vjedhur. Ju keni ardhur me forca të shumta policie për të mbrojtur grabitësit, abuzuesit, shkelësit e Kushtetutës e të ligjit. Mjaft u sollët si polici e pushtetit, por silluni si polici që mbron interesat e qytetarëve të saj.”

Në fund, ai nënvizoi se protesta do të vazhdojë deri në dorëheqjen përfundimtare të Erion Veliajt.

“Ne nuk do pranojmë kurrë që paratë tona të merren dhe abuzohen me 100% e Lali Erit. Me kryefikun në krye të bashkisë që mendon vetëm të pasurojë enturazhin e tij brenda bashkisë së Tiranës.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos