Flutura Açka zbulon ekskluzivisht në “Off the Record” si lindi sherri me Gaz Bardhin

Nga A2 CNN
4 Shtator 2025, 21:15 | Politikë

Flutura Açka, e ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, zbuloi mosmarrëveshjet që ka pasur me Gazment Bardhin.

“Nëse ka njeri me të cilin kam ndenjur më shumë mes 140 deputetëve, është zoti Bardhi. Prandaj kam keqardhje të madhe. Nuk duhet të ndodhte me një njeri që ti e ke dashur fort ajo që ndodhi, për politikë. Sepse ka ndodhur për politikë. U ndamë si u ndamë në dy kampe, por liria ime nuk e pengonte zotin Bardhi. As liria e tij nuk më ka penguar kurrë mua. Gazetarët e dinin para meje se do të kishte “ndeshje” në komision dhe unë shkova në komision pa e ditur se çfarë do të ndodhte aty”, tha Açka.

“Edhe për hir të asaj miqësie që kishim, e meritoja thjesht një mesazh ku të më thonte që të mos e hapja komisionin. Do e kuptoja që ajo ishte gjë serioze, megjithëse nuk isha pjesë e atij projekti politik. Aty pati edhe disa fjalë të panevojshme, por që i kam kaluar. Unë, edhe në konferencën për shtyp pas asaj që ndodhi, kam qenë shumë e kujdesshme. E dyta, pse duhet ta mësoja unë prej socialistëve që do të hiqesha nga kryetare e komisionit? Nuk kishin kaq detyrim që të më çonin një shkresë të paktën? Nuk komunikon kjo parti, kjo është çështja”, shtoi Flutura Açka për Andrea Dangllin.

“Këto gjëra të vogla, që ndonjëherë e kanë kaluar edhe cakun e njerëzores, më kanë lënduar. Pas kësaj, nuk kam pasur komunikim me zotin Bardhi. Kam parë shashka, kam parë reagime të disa gazetarëve, kam parë lajme që kanë dalë nga burime të caktuara nga grupi parlamentar, gjëra të pasakta në raport me mua”, theksoi më tej Açka. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos