Shqipëria duhet të ketë një Kod të ri Penal në vitin 2026. Për këtë arsye, qeveria, në rolin e porositësit, ka vendosur që të mos nxitojë me miratimin e dokumentit të ri pa pasur mendimin e të gjitha grupeve të interesit. Ashtu si kryeministri, edhe Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, nënvizoi se Kodi i ri nuk do të miratohet pa bekimin e Brukselit.
Kryetari i grupit të punës, që ka marrë përsipër mbrojtjen e këtij drafti, u mundua të qetësojë debatet e nxehta të ditëve të verës duke e cilësuar atë si jo aq represiv sa është komentuar në media, shkruan A2 CNN. “Menduan që është libër vere i shkurtër”, tha Rakpi. Ai solli në vëmendje lehtësime të dënimeve, nga vjedhjet deri tek shpërndarësit e drogës, ndërsa dha lajmin se vendi ynë pritet të “legalizojë” prostitucionin. “Ne po mendojmë të depenalizojmë prostitucionin”.
Grupi i punës mendon që shpifja duhet të quhet një vepër penale, por qeveria ka plane të tjera. Për momentin, nuk do të ndërhyjë në draft-dokumentin e Rakipit, por do të arnojë Kodin e vjetër Penal gjatë kësaj vjeshte, si një detyrim ndaj BE-së deri në fund të tetorit. “Kemi 6 direktiva, mes tyre edhe dekriminalizimi i shpifjes”, u shpreh ministri i Drejtësisë.
Për nenin 526, që është kundërshtuar nga gazetarët lidhur me ndikimin në pavarësinë e gjyqësorit, draftuesi pretendon se nuk cenon lirinë e medias. Kryetari i grupit të punës tregoi se për të shkruar 950 nenet është mbështetur në Kodin aktual, në ligje të tjera, tek dispozitat për Shqipërinë dhe në eksperiencat personale të anëtarëve të grupit të punës. (A2 Televizion)