Kolegji Zgjedhor rrëzoi përfundimisht kërkesën e demokratëve për pavlefshmëri të zgjedhjeve të 11 majit, duke mbyllur sagën gjyqësore të ankimimeve. Pas këtij vendimi, pritet dekreti i Presidentit për thirrjen e seancës së parë parlamentare për konstituimin e Kuvendit të ri.
“Rrëzohet vendimi”. Me këto fjalë të Kolegjit Zgjedhor përfundoi edhe saga e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ku tentativa e fundit e demokratëve për të rrëzuar procesin në tavolinë dështoi.
Kjo seancë e fundit zgjati për më shumë se 8 orë dhe ajo që i mundoi gjyqtarët nuk ishte kërkesa për pavlefshmëri zgjedhore, por ajo për standardet e ndjekura në shpërndarjet e mandateve.
Thënë më thjesht, Kolegji krijoi dyshimin për dorëheqjen e Maldrita Bardhos që i hapi rrugë Zegjine Çaushit në Fier dhe 12 kandidatëve të PSD-së në Qarkun e Tiranës që i hapi rrugë Tedi Mulajt në listën e hapur të këtij subjekti. Dhe këto dyshime duket se ndanë edhe bindjen e gjyqtarëve në marrjen e vendimit.
Pas këtij vendimi, hapi i rradhës është dekreti i Presidentit për thirrjen e seancës së parë parlamentare, ku sipas Kushtetutës, ajo nuk mund të jetë më herët se 10 shtatori dhe jo më vonë se data 20 shtator. (A2 Televizion)