Foli për spastrim etnik të Kosovës, Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha: Tronditës qëndrimi i ministres serbe

Nga Indrit Maraku
14 Korrik 2026, 19:01 | Politikë

Një prej ministreve të qeverisë në Serbi ka rikthyer retorikën për spastrim etnik në Kosovë. Snezhana Paunoviç, në një intervistë të dhënë në Beograd, theksoi se, nëse do të ishte në vend të Millosheviçit, do të kishte vepruar ndryshe. Qëndrimet e saj u cilësuan skandaloze dhe u pasuan me reagimin e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, i cili e quajti deklaratën të papranueshme, tronditëse dhe një fyerje të rëndë për viktimat e luftës.

 "Relativizimi dhe normalizimi i një prej krimeve më të rënda kundër njerëzimit, krime të dënuara nga historia, nga drejtësia ndërkombëtare dhe nga vetë ndërgjegjja njerëzore, bien ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Evropa e sotme. Ato minojnë përpjekjet për pajtim dhe bashkëpunim, ushqejnë mosbesimin dhe urrejtjen, si dhe rihapin plagë që ende nuk janë shëruar. Askush nuk mund të ndërtojë besim duke rikthyer hijet më të errëta të së kaluarës", thekson kryediplomati i Shqipërisë.

 "Procesi i normalizimit dhe i pajtimit, për të cilin Kosova, Serbia dhe i gjithë rajoni ynë kanë aq shumë nevojë, kërkon para së gjithash përgjegjësi, reflektim dhe guxim për t'u përballur me të kaluarën. Ai nuk mund të ndërtohet kurrë mbi deklarata që justifikojnë apo lartësojnë politikat që sollën aq shumë dhimbje e shkatërrim, por vetëm mbi të vërtetën, respektin për viktimat dhe angazhimin e sinqertë për një të ardhme të përbashkët evropiane."

Për këto deklarata, edhe opozita serbe ka kërkuar dorëheqjen e ministres. Po ashtu, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, ndonëse theksoi se Komisioni nuk komenton deklarata individuale, u shpreh se deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos