Krahas betejës politike, demokratët e kanë ndarë mendjen për të vijuar edhe betejën ligjore duke ezauruar të gjitha hallkat e gjyqësorit për të kundërshtuar procesin elektoral të 11 majit. Padia e radhës do të shkojë në dyert e Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar procesin e votimit nga jashtë. Sali Berisha nuk e fshehu arsyen e vërtetë përse do të përfshijë edhe këtë trupë në sagën e ankimeve zgjedhore.
“Pa diskutim do e çojmë, por vetëkuptohet, gjykata është totalisht e kontrolluar. Gjykata Kushtetuese. Tani ne po e çuam atje, e çojmë për Strasburg. Por të kesh besim tek gjykata që ç’të thuash, ka vendosur standarde të vërteta antikushtetuese në dy aspekte. Aspekti i parë, ajo ka dhënë vendime që turpërojnë çdo njeri të lirë sepse të pranojë gjykata vendimet ekstraligjore të gjykatave… E qartë, heqja e të drejtës për komunikim, është hequr ligji që lejonte këtë vendim dhe është hequr me kërkesë të Strasburgut dhe Gjykata Kushtetuese e përligj këtë kërkesë në mënyrën më të turpshme, më ekstraligjore. Por Gjykata Kushtetuese gjithashtu është një shkallë, etapë për të kaluar çështjet në Strasburg”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.
Besimin te drejtësia Shqiptare nuk e ka, por Berisha i ka shpresat te ndërkombëtarët, ku akuzoi shumicën socialiste se po i bën presion vwzhguesve tw OSBE/ODIHR që të ndryshojnë përmbajtjen e raportit pwrfundimtar të monitorimit të zgjedhjeve.
Institucionalisht, saga e kundërshtimit të rezultatit të zgjedhjeve ka përfunduar, por mbyllja e kapitullit të parlamentareve të 11 majit do të kërkojë edhe disa vendimmarrje pasi në tryezën e KAS kanë mbërritur për shqyrtim ankesat e Adriatik Lapajt dhe Andia Ullirit të cilët kërkojnë mandatin e deputetit duke kundërshtuar mënyrën e shpërndarjes nga Ilirjan Celibashi. (A2 Televizion)