Ia heq kushërirës, ia kalon tezes! KAS nuk njeh dorëheqjet, mandati i Lapajt shkon dorë më dorë

Nga Ervin Koçi
30 Korrik 2025, 15:05 | Politikë

Kleana Xhuveli mundi të ishte vetëm një javë deputete e zgjedhor pasi Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve vendosi që përfaqësimi në Parlament i koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, i takon Ana Dajkos që kryeson listën e Tiranës. Akti i KAS surprizoi edhe vetë partinë ankimuese, e cila i ishte drejtuar këtij organi për të kërkuar transferimin e mandatit nga Kleana Xhuveli tek Adriatik Lapaj, si më i votuari në listën e hapur.

Argumenti i dorëheqjeve u konsiderua nul nga anëtarët e KAS, ku në parashtrimin e vendimit, u kujdesën të nënvizonin se ky organ nuk mund të legjitimojë një akt të pavlefshëm, dhe njëkohësisht, ndryshimin e destinacionit të mandatit parlamentar, shkruan A2 CNN.

“Ky akt nuk krijon asnjë pasojë juridike sepse heqja dorë nga kandidimi nënkupton në vetvete prishjen e listës të kandidimit të atij subjekti zgjedhor, i cili pasojë ligjore ka ndalimin e konkurrimit të atij subjekti në zgjedhje. Për këto arsye KAS vendosi shpalljen e kandidatit fitues nga lista shumëemërore të miratuara nga KQZ të subjekti zgjedhor, Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet për qarkun Tiranën të zonjës Ana Kosta Dajko”, tha anëtari i KAS, Elvis Çefa.

Sipas këtij vendimi, që mandati të kalojë nga e para në listë, e cila është Ana Dajko, te Adriatik Lapaj i cili është i 13, do të duhet që secili nga kandidatët të japë dorëheqjen indiviualisht, pasi t’i shkojë ftesa për të marrë mandatin.

“Akti i dorëheqjeve nga kandidmi i bërë në rastin konkret ditën e zgjedhjeve nga të gjithë kandidatët e listës së mbyllur të subjektit zgjedhor ankimues, në kuptim të ligjit është një akt nul, absolutisht i pavlefshëm, dhe nuk mund të merret në konsideratë. për rrjedhojë, edhe subjekti nuk mund të pretendojë që të KQZ të miratojë një akt nul”, tha Çefa.

Në këto kushte, mandati kalon nga Kleana Xhuveli, e njohur si kushërirë e Lapajt, tek Ana Dajko, e njohur si tezja e Lapajt. Nëse 60-vjeçarja do të heqë dorë, e dyta në listë është Livia Stavri, e njohur si partnere e Endri Shabanit.

Krahas mandati të koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, KAS shqyrtoi edhe kërkesën ankimore të Andia Ullirit, e cila pretendoi mandatin e Arjan Ndojës në listën e PD të qarkut Durrës, nën argumentin e kuotës gjinore, por që u refuzua. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos