Avokati Bledar Meminaj ka shprehur kritika të forta ndaj projekt-kodit të ri penal, në emisionin "Debat" me Alba Alishanin në A2 CNN. Ai e cilësoi procesin si të papërgatitur dhe të paqartë, duke vënë në pikëpyetje qartësinë dhe cilësinë e dokumentit ligjor.
“Minimalja, kjo duhej të ndahej në faza që të adaptohej shoqëria. Si mund të veprojmë me 900 nene? Edhe ne që jemi profesionistë dhe gjyqtarët që marrin vendime, e mbajnë kodin përpara, sepse nuk i mbajnë dot të gjitha përmendësh. Këtu do të kemi shumë punë, edhe juristët do të kenë nevojë për këshillime,” u shpreh Meminaj.
Sipas tij, projekt-dokumenti nuk është vetëm i ngarkuar, por edhe i përkthyer keq, duke sjellë paqartësi dhe mospërputhje në përmbajtje.
“Për mua është përkthyer keq. Diku është marrë nga një gjuhë e huaj, por është përkthyer sikur është përdorur Google Translate, pa u lodhur fare. Bie ndesh paragrafi me paragrafin,” shtoi ai.
Meminaj ngriti shqetësim edhe për afatin e konsultimeve me publikun dhe juristët për këtë projektligj, duke e konsideruar kohën njëvjeçare si të pamjaftueshme.
“Nëse do të kemi vetëm një vit kohë për konsultim, është shumë pak. Si jurist, kjo është çështja thelbësore për mua”.
(A2 Televizion)