“Frigorifer 5 mijë euro”- Shabani i përgjigjet Ramës: Çeta hajdutësh në universitete! Në Rusi s’ka drejtësi që të arrestojë Putinin

Nga A2 CNN
26 Shkurt 2025, 21:51 | Politikë

“Ky është fundi, kjo është gjuha e Vladimiroviç Putinit. Epo ajo lloj drejtësie kurrë këtu. Kurrë, kurrë, kurrë. E kemi parë ne atë film. Vetëm se në atë kohë nuk i thoshin i korruptuar, por armiku i klasës”.

Ishte kjo deklarata e kryeministrit Edi Rama gjatë ditës së sotme, teksa sulmonte punën e drejtësisë së re, shkruan A2 CNN.

Ndërkohë kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani, i është përgjigjur ashpër këtyre deklaratave, që sipas tij, kanë për mision të mbrojnë korrupsionin.

Në emisionin ‘Debat’ me gazetaren Alba Alishani në A2 CNN, Shabani tha se në Rusi nuk ka drejtësi të pavarur që të arrestojë Vladimir Putin, por është e kundërta, që kundërshtarët politikë të regjimit prangosen me udhër të Presidentit.

Shabani tha gjithashtu se Rama, i cili sipas tij ka futur në burgje shumë shqiptarë për gjëra të pavlera përmes ligjeve të ashpra, nuk duhet të shqetësohet kur kapen hajdutët.

Ai shtoi se në universitete blihet një frigorifer 5000 euro dhe një blender 3500 euro. Sipas Shabanit, një universitet që kërkon të mbrohet nga drejtësia, nuk është gjë tjetër veçse një çetë hajdutësh.

 “Është kulmi i hipokrizisë. Sepse në Rusi nuk ka një drejtësi të pavarur që shkon të arrestojë Putinin, është e kundërta. Pra është drejtësia e Putinit që arreston kundërshtarët politikë. E dyta, po sot ky njeri tha ‘do ta trajtojmë parkimin dysh si vepër penale’, pra shkon në burg. Pra ka ardhur që në 2013 dhe deri më sot, për çdo gjë zgjidhja e tij është burgu.

Në pandemi për shqiptarin e zakonshëm propozoi 5 vite burg nëse dilte nga shtëpia pa lejen e këtij. 5 vite burg tha ky atëherë, ndryshoi kodin penal. Po të dilte i shkreti nga shtëpia, mos ta kishte parë Facebook-un e tij, se atje dilnin urdhërat, do dënohej me 5 vite burg. Sot shqetësohesh se shkojnë në burg ata që kanë marrë një frigorifer 5 mijë euro.

Blenderi 3 mijë e 500 euro. T’ja thotë austriakëve këto ai. Universiteti duhet të mbrohet, ka të drejtë, por duhet të mbrohet nga hajdutët, jo nga drejtësia. Sepse një universitet që mbrohet nga drejtësia do të thotë se është çetë hajdutësh”, tha Shabani, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos