Fushata në Elbasan, Alizoti: Do t’ju hamë të gjallë! Berisha mesazh Suel Çelës dhe administratës

Nga Anesti Barjamemaj
1 Maj 2025, 15:05 | Politikë

Fushata e demokratëve në bashkitë e qarkut të Elbasanit nuk u ndal vetëm te mesazhet politike. Tonet kërcënuese i ngriti i pari drejtuesi politik i demokratëve, Tomorr Alizoti, që u shfaq me një gjuhë larg asaj që përdor zakonisht në politikë.

“Ju që doni të shkatërroni Shqipërinë, ju analfabetë, ju maskarenj, do t’ju hamë të gjallë. Mos guxoni t’ju shkoni njerëzve nëpër shtëpi natën! Mos guxoni të fusni duart ditën e zgjedhjeve! Doktor jepi se ty të kanë më shumë frikë...”.

Me thirrjen drejtuar Berishës për të trembur më shumë kundërshtarin, Alizoti u duk i vetëdijshëm mbi kapacitetin e vet për të ngjallur frikë në kampin tjetër. Doktori nuk e zhgënjeu dhe gjatë takimit elektoral në Librazhd foli me emra, duke treguar si ishte dhunuar shoferi i Taulant Ballës.

“Sueli ia bëri për spital shoferin. Dhe Tao e qepi gojën si i paqenë, si ushtar i Suelit. Turp të ketë. Tao Burreci e qepi gojën ndaj njeriut që e kishte pasur vite shofer. Ia theu kockat sepse nuk mbështeti Sara Milen. U garantoj ju se Suelin dhe Suelët si ai, do shpallen terroristë me datën 12 maj”, u shpreh Berisha.

Pas ndalesës në Librazhd, kreu i opozitës zhvilloi një takim elektoral edhe në Belsh, nga ku një mesazh pati për administratën.

“I bëj thirrje administratës, çdo punonjës t’i qëndrojë besnik ligjit, t’u shërbejë ju në përputhje me ligjin dhe ne e konsiderojmë atë shërbëtor të vyer të shtetit. Natyrisht ata që zgjedhin patronazhistin, ata janë terroristë elektoralë”.

Me premtimin e Shqipërisë madhështore, Berisha prezantoi programin ekonomik të PD, ku pohoi se brenda 100 ditëve të para qytetarët do të dalin nga varfëria ekstreme.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos