Nga Librazhdi ku zhvilloi një takim elektoral, Sali Berisha, foli sërish për rezolutën e miratuar nga Partitë Popullore Evropiane. Lideri opozitar pohoi se kjo rezolutë dënon Ramën dhe është në mbështetje të opozitës.
Ndërkohë Berisha denoncoi sërish me emër Suel Çelën dhe premtoi se të gjithë ata që kryejnë krime zgjedhore do të shpallen terroristë pas 11 majit.
“U sjell përshëndetjet më të përzemërta nga Kongresi i Partisë Popullore Europiane, partisë më të fuqishme që qeveris sot me 14 kryeministra, drejton Komisionin Europian, Parlamentin Europian, të cilët dje votuan me unanimitet një rezolutë në mbështetje të secilit prej jush, të votës tuaj, të fitores së PD dhe denoncuan Edi Ramën, klikën e tij si armiq të egër të votës së lirë të shqiptarëve.
Çfarë fitoi Tao nga votat tuaja? Tao fitoi qindra milionë të fshehura. Fitoi pasuri, fitoi emër më të keqin si baloz krimi në Elbasan dhe Shqipëri. E morët vesh besoj, para dhjetë ditësh, Sueli ia bëri për spital shoferin. Dhe Tao e qepi gojën si i paqenë, si ushtar i Suelit. Turp të ketë. Tao Burreci e qepi gojën ndaj njeriut që e kishte pasur vite shofer. Ia theu kockat sepse nuk mbështeti Sara Milen”, tha Berisha. (A2 Televizion)