Edi Rama ka nisur fushatën për Bashkinë Tiranë. Nga Podcasti i tij “Flasim”, që e transmeton në mediat sociale, kreu i qeverisë iu rikthye sulmeve ndaj drejtësisë, duke e quajtur vendimin për arrestimin e Erion Veliajt si të gabuar.
“Tirana mbeti pa kryebashkiak për shkak të një zhvillimi brutal të drejtësisë. Veliaj u mor nga zyra pa gjyq dhe u çua në paraburgim ku po mbahet ende prej muajsh mes një procesi me standarde që janë të dyshimta”, tha Rama.
Me shprehjen e shumëpërdorur prej tij “Tirana nuk mund të presë më”, Rama komentoi edhe dekretin e Presidentit Begaj, duke i dhënë të drejtë këshilltarit juridik të kreut të Shtetit në debatin për ligjshmërinë e shpalljes së zgjedhjeve në Tiranë.
“Ata që diskutojmë legjitimitetin e dekretit nuk kanë faj, sepse nuk kanë as shkollën, as pavarësinë intelektuale të Ilir Rusmalit, këshilltarit juridik të Presidentit dhe ministër të Drejtësisë të PD që vetëm për integritetin e tij dha dorëheqjen dhe nuk pranoi të bëhej palë me korrupsionin që degradoi në një tragjedi makabre që tmerroi Shqipërinë dhe pataksi botën”, shtoi kryeministri.
Përballë tij si e ftuar ishte Ogerta Manastirliu, kandidatja e socialistëve për Bashkinë Tiranë.
Pasi bëri një rrëfim të jetës së saj që nga fëmijëria e deri te angazhimi politik, Manastirliu foli edhe për garën që e pret në 9 Nëntor.
“Tirana është qyteti i 1 milion banorëve. Tirana është rritur; Tirana është sa sfida jonë, aq edhe krenaria jonë. Pikërisht se ky qytet na bën krenarë, na ka bërë krenarë, do na bëjë krenarë, mendoj se ia vlen çdo sakrificë për ta marrë përsipër. Unë jam thirrur në detyrë”, u shpreh Manastirliu.
Manastirliu pohoi se e ka marrë me shumë seriozitet sfidën e 9 Nëntorit, ndaj kërkoi mbështetjen e socialistëve për të arritur në zyrën e kryetarit të bashkisë Tiranë. (A2 Televizion)