Gjykata Kushtetuese reagon pas deklaratës së Ramës: Vendimet tona janë të pavarura dhe të paprekshme

Nga A2 CNN
12 Qershor 2025, 14:58 | Politikë

Gjykata Kushtetuese ka reaguar pasi kryeministri Edi Rama e cilësoi si një oreks të pajustifikuar të gjyqtarëve kërkesën e unionit të gjyqtarëve për një rritje page prej 700 eurosh.

Rama në këtë deklaratë kishte një thirrje më vete edhe për Gjykatën Kushtetuese, për të cilën tha se Qeveria nuk do të heshtte më ndaj abuzimeve të kësaj gjykate.

Përmes një njoftimi për shtyp, Gjykata Kushtetuese ka theksuar pavarësinë e saj dhe ka dënuar çdo formë ndërhyrjeje apo presioni ndaj vendimmarrjes së saj, shkruan A2 CNN.

Gjykata Kushtetuese po ashtu thekson se pavarësisht se vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash, çdo përpjekje për ta vënë në dyshim reputacionin dhe autoritetin e saj është e papranueshme.

“Duke marrë shkas nga qëndrime dhe reagime të publikuara së fundi në media dhe në rrjete sociale nga përfaqësues të pushteteve të tjera, përfshi atë ekzekutiv, si dhe të vetë medias, Gjykata Kushtetuese siguron publikun dhe palët në proces se ajo është e pavarur në ushtrimin e funksionit të saj kushtetues dhe nuk ndikohet prej tyre në veprimtarinë ose vendimmarrjen e saj.

Gjykata Kushtetuese gjen rastin të ritheksojë se vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash, megjithatë është e papranueshme çdo formë ndikimi, sikundër çdo përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e saj, qoftë edhe në dukje, ç’ka do të cënonte vetë parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe atë të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos