Haga unifikon Tiranën, krah Prishtinës deklarata e Kuvendit: Nuk rishkruhet historia e një populli

Nga Indrit Maraku
17 Shtator 2026, 18:53 | Politikë

Kuvendi i Shqipërisë shpreh indinjatën e thellë dhe mos dakordësinë e plotë me një vendim që e konsideron thellësisht të padrejtë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Si rrallëherë, politika në Shqipëri foli me një gjuhë të unifikuar, institucionale, pas dënimeve të shprehura nga Dhomat e Specializuara në Hagë kundër ish-komandatëve të UÇK.

“E palëkundur mbetet bindja jonë në pafajësinë e tyre dhe po aq e palëkundur mbetet e vërteta historike: UÇK-ja luftoi për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli. Nuk mund të zhbëjë karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës apo të barazojë agresorin me viktimën”.

Përmes një deklarate të dakordësuar nga të gjitha grupet parlamentare të Kuvendit, Republika e Shqipërisë çoi një mesazh në Beograd dhe Moskë.

“Kuvendi qëndron kundër çdo përpjekjeje të Serbisë dhe Rusisë për ta instrumentalizuar politikisht këtë proces, për të relativizuar krimet e regjimit të Milosheviçit dhe për të delegjitimuar luftën çlirimtare, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës”. 

Për qytetarët dhe institucionet e Kosovës, u theksua se nuk është thënë ende fjala e fundit.

“Kuvendi i Shqipërisë qëndron në solidaritet të plotë me Kosovën, popullin dhe institucionet e saj, si dhe pranë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dhe familjeve të tyre. Ky aktgjykim nuk është fjala e fundit. Kuvendi pret që të gjitha mjetet juridike dhe shkallët e mëtejshme të procesit të ndiqen deri në fund, duke garantuar respektimin e plotë të standardeve të procesit të rregullt ligjor”.

Si përfaqësim i vullnetit të popullit, Kuvendi mori përsipër edhe disa detyra.

“Kuvendi i Shqipërisë angazhohet që: Në të gjitha forumet ndërkombëtare të denoncojë krimet e regjimit serb të Slobodan Milosheviçit në Kosovë, përfshirë aktet gjenocidale, krimet e luftës dhe dhunën seksuale gjatë luftës; të kërkojë drejtësi për viktimat dhe të dënojë mungesën e angazhimit të autoriteteve serbe për zbardhjen e këtyre krimeve, vendosjen e përgjegjësisë dhe garantimin e drejtësisë për viktimat”.

Rruga institucionale mbetet e vetmja për korrigjimin e padrejtësisë, në koordinim me Kuvendin e Kosovës dhe dy qeveritë në Tiranë dhe Prishtinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos