Hapet Unaza e Madhe e Tiranës, të pranishëm Rama dhe Balluku

Nga A2 CNN
30 Dhjetor 2024, 18:36 | Politikë

Hapet Unaza e Madhe e Tiranës, të pranishëm Rama dhe Balluku

Pasditen e sotme është hapur Unaza e Madhe e Tiranës, shkruan A2 CNN.

Kryeministri Edi Rama dhe zëvendës-kryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, kanë qenë të pranishëm në hapjen e kësaj rruge, i cili është një projekt prej 29 kilometrash i gjatë, që lidh kryeqytetin me të gjitha rrugët dalëse kombëtare.

Unaza e madhe është projekti më i madh infrastrukturor në kryeqytet, i finalizuar brenda afateve dhe do të çlirojë Tiranën nga trafiku si dhe do të ketë një impakt të rëndësishëm në ekonomi.

“Duke nisur nga sot, unaza është e gjitha e aksesueshme. Pjesa e unazës Veriore ka qenë një nga pjesët më të vështira të kësaj vepre, duke pasur parasysh që kemi patur një zonë të banuar dhe na është dashur të punojmë e të sposotojjmë mbi 654 ndërtesa. Ndërkohë tani është plotësisht e përfunduar. Kemi akoma disa detaje të vogla që mbarojnë brenda janarit, por ndërkohë kini parasysh që janë të gjitha të aksesueshme nga pika të ndryshme të autostradës.

Këtu jemi në lotin 1, që është më i komplikuari, pasi kemi pasur zbulimin e një burimi nëntokësor uji që e kemi kanalizuar dhe nga ana tjetër këtu kemi dhe pikëprerjen me hekurudhën Tiranë – Durrës. Kështu që kjo është një nyje që do vazhdoje të zhvillohet. E gjithë unaza tashmë që është e kategorisë A urbane, i gjithë mobilimi është urban, ndriçimi, mbikalimet, zonat e gjelbërta e stola.

Trafiku i dhjetorit është i shtuara pasi kemi dhe një fluks të madh, fluks që shikojmë në daljen e Elbasanit, janë dhe shumë makina me qera në këto momente dhe ajo do jetë sfida e rradhës, by-passi i Elbasanit për të cilin studimin e kemi gati dhe tashmë kemi nisur fazën e negociatës”, - u shpreh zëvendëskryeministrja Balluku gjatë fjalës së saj.

Unaza e Madhe përveç lehtësimit të trafikut të rënduar të kryeqytetit, sipas zyrtarëve të Qeverisë, do të ketë impakt edhe në ekonomi, duke rritur vlerën e pronës dhe zhvillimin e bizneseve të reja përgjatë gjurmës së saj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos