“Krimi Zgjedhor” bëri bashkë në një tryezë drejtësinë, ndërkombëtarët, institucionet, partitë politike dhe shoqërinë civile. Paralajmërimit të një dite më parë nga kryeministri Edi Rama që SPAK të mos survejojë partitë në fushatë, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, zgjodhi një gjuhë të tërthortë për t’i dhënë përgjigje.
“Askush të mos ketë frikë nëse respektohet apo nuk shkelet ligji”, tha Dumani, shkruan A2.
Atyre që nuk e fshehin shqetësimin e SPAK-ut në terren, Dumani u tregon që ka qenë vetë Kuvendi me anë të rezolutës që ka kërkuar ndërhyrjen e kësaj strukture për krimet zgjedhore.
Në strategjnë e përbashkët mes SPAK, KQZ dhe Prokurorisë së Përgjithshme, ka në qendër një objektiv, goditja e krimit zgjedhor në kohë.
Në një moment heshtje nga SHBA, ambasada e së cilës u vu re me mungesën e përfaqësuesve
të nivelit të lartë, në krah të kësaj Task Force dolën diplomatët e BE, Britanisë së Madhe dhe Holandës, duke nënvizuar njëzëri problemin më thelbësor në zgjedhje, shitblerjen e votës.
Silvio Gonzato i BE u shpreh: “Blerja e votës dhe presioni ndaj votuesve vijon të jetë problem në Shqipëri. Mirëpres nismën e ndërmarrë nga aktorët kryesorë, si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Përgjithshme, SPAK dhe Policia e Shtetit, për të koordinuar përpjekjet e tyre para zgjedhjeve të 11 majit, për të adresuar krimet e mundshme zgjedhore, si garanci për besim në këto zgjedhje”.
Shqipëria është ende larg plotësimit të standardeve. Këtë e pranon edhe garantuesi i procesit zgjedhor në Shqipëri, kryekomisioneri Ilirian Celibashi.
Përfaqësuesi i PD, nënkryetari Oerd Bylykbashi, akuzon institucionet që deri më sot kanë dështuar të vendosin standardet zgjedhore. Duke ngritur pyetjen nëse Kryeministri Rama po kërkon të intimidojë prokurorët, mori përgjigje nga Altin Dumani.
Bylykbashi tha: “Në këtë fazë kemi ardhur nga mosndëshkimi. Ne nuk kemi frikë nga task forca, mos të tremben as organet kompetente. A duhet të ketë frikë politika dhe qeveria? Ajo e djeshmja ishte urdhër për SPAK-un dhe prokurorinë?”.
Dumani u përgjigj: “Ne kemi detyrimin të hetojmë krimin, jo të ndërhyjmë në fushatë
elektorale”.
Nga mazhoranca mungoi Damian Gjiknuri që ndodhej në Vjenë, ndërsa Niko Peleshi kishte preferuar axhendën e takimeve elektorale në Korçë.
Takimit nuk i mungoi as sensi i humorit. Enigmë mbeti çfarë i tha drejtuesi i SPAK pa mikrofon Celibashit, teksa në publik u pa vetëm efekti i shkëmbimit të batutave mes të
dyve. (A2 Televizion)