Mitingu me punonjësit e bashkisë, Berisha: SPAK duhej t’i vinte prangat Edi Ramës në shesh

Nga Anesti Barjamemaj
21 Shkurt 2025, 16:04 | Politikë

Një mundësi e humbur për të treguar pavarësinë dhe integritetin e SPAK, e quajti Sali Berisha mitingun e kreut të qeverisë, Edi Ramës me punonjësit e Bashkisë së Tiranës në sheshin “Skënderbej”.

Lideri i opozitës pohoi se mbledhja e Kryeministrit me punonjësit e bashkisë është një krim zgjedhor në kushtet e flagrancës, ndaj të cilit thotë se SPAK duhej të kishte vepruar. 

“Në qoftë se vërtet SKAP e ka ndërmend të hetojë krimin elektoral, Edi Ramës duhej t’i vinte prangat në shesh me mitingun elektoral që organizoi mbrëmë”.

Pavarësisht mosbesimit për këtë institucion, Berisha premton se do të dorëzojë kallëzim penal kundër Edi Ramës, duke i dhënë një tjetër shans drejtësisë.

“Do bëjmë kallëzim, të bindur se SPAK shqyrton me përparësi të madhe dosjet që i dorëzon qeveria. Ne i bëjmë, ata nuk i shqyrtojnë dosjet tona, përkundrazi bëjnë të kundërtën. Por ato mbeten aty dhe drejtësia vonon, por nuk harron”.

Teksa zgjedhjet po afrojnë dhe afatet e KQZ-së për të vendosur nëse do të zbatohet votim dhe numërim elektronik në 11 maj po ngushtohen, lideri demokrat shpreh skepticizëm për këtë procedurë që ishte kërkuar nga demokratët, por heq përgjegjësinë nga vetja nëse shpenzimet e kryera nga KQZ shkojnë dëm.

“Elektronikën e hodhi poshtë PS. Ata e rrëzuan elektronikën vetë. Nuk di të ketë një propozim të tillë nga KQZ. E ka, por nuk thotë që në çdo zgjedhje, ka interpretime të veta ajo. Është më i gjerë interpretimi”.

Sa i përket koalicioneve, kreu i opozitës pohoi se negociata po zhvillohen edhe me Shpëtim Idrizin, ndërkohë ftesa shkon edhe për partitë e tjera që të bashkohen në një front kundër Edi Ramës.

“Ne e vlerësojmë partinë e zotit Idrizi si një aleate të çmuar. Ne do bëjmë gjithçka për të zgjeruar frontin opozitar edhe me parti të tjera”.

Për Lulzim Bashën përjashton çdo mundësi bashkëpunimi, ndërsa kur i përmendet emri i Enkelejd Alibeajt përgjigjet me ironi. “Ka parti Alibeaj, ku e ka?” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos