Kandidatja e për deputete nga Partia Socialiste në Qarkun e Tiranës, Blerina Gjylameti, i ka bërë një kërkesë KQZ-së këtë të hënë ku kërkon pamjet filmike të numërimit të votave në të gjithë Qarkun e Tiranës.
“I nderuar zoti Celibashi! Unë kërkuesja, në cilësinë e kandidates për deputete në zonën zgjedhore Qarku Tiranë për zgjedhjet parlamentare të datës 11.05.2025, Ju drejtohem me këtë kërkesë për të më vënë në dispozicion pamjet filmike të procesit të numërimit të votave të subjekteve dhe kandidatëve në të gjithë qendrat e numërimit të Qarkut Tiranë.
Pamjet e kërkuara do të përdoren vetëm për qëllime verifikimi dhe brenda kuadrit ligjor, duke respektuar të gjitha procedurat e kërkuara nga kuadri ligjor në fuqi. Siguroj se i gjithë informacioni i vënë në dispozicion nga ana Juaj do trajtohet me përgjegjësi në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në kërkesën e Gjylametit, shkruan A2 CNN.
Deri tani, kur kanë mbetur më pak se 8 mijë zarfe nga diaspora pa u numëruar, Gjylameti qëndron pas Olta Xhaçkës me rreth 100 vota, duke mbetur jashtë listës së fituesve. (A2 Televizion)