Mziu: Buxheti i rritur në letra, por nuk ka impakt te familjet

Nga A2 CNN
22 Nëntor 2026, 20:55 | Politikë

Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, komentoi buxhetin e vitit 2027, duke theksuar se është i rritur vetëm në letra, pasi, sipas tij, nuk ka fare ndikim te familjet shqiptare.

“Në këto 35 vite, sa herë që janë bërë buxhetet, ato normalisht vijnë në rritje. Dhe kanë mësuar një refren që kur vjen buxheti, e kthejnë një herë në euro kur ju intereson, pastaj e kthejnë në lekë. Në këto momente, për shkak të zhvlerësimit që ka euro, e bëjnë me euro. Por, nuk është vlera e buxhetit ajo që përcakton se sa i mirë spo sa i keq është, por produkti e tij. Dhe në këtë kontekst, sektorët kryesorë të buxhetit të shtetit janë absolutisht të pavlerësuar dhe në finale ky buxhet nuk jep ndonjë impakt”, tha Mziu në studion e “Terminal” nga Loneta Progni, në A2CNN.

“Pra, është një buxhet ë i rritur në letra, por tek ekonomia familjare absolutisht nuk ka asnjë lloj ndikimi. Përkundrazi, ajo pjesa kryesore e buxhetit ka shkuar tek sektorë të cilët janë kontribut i korrupsionit. Ndërsa, në sektorë të cilët ka nevojë ekonomia, siç është bujqësia, arsimi, shëndetësia nuk kanë pasur mbështetjen e duhur”, shtoi deputeti demokrat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos