Një moment pozitiv dhe një hap konkret me një rëndësi të jashtëzakonshme për miliona njerëz që kalojnë këtë kufi, e ka cilësuar kryeministri Edi Rama promovimin e sistemit të integruar kufitar "One Stop Shop" në Qafë-Thanë.
Së bashku me homologun e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, kreu i qeverisë shqiptare theksoi rëndësinë e çuarjes përpara të projektit madhor të Korridorit 8, i cili, sipas Ramës, ka një rëndësi strategjike për BE e NATO.
“Ne kemi një shprehje në shqip; beso e kontrollo. Deri tani, në këtë doganë ishim kontrollo-kontrollo, tani jemi beso-kontrollo dhe hapi tjetër është beso-beso, që të mos kemi asnjë kontroll për t’u bërë pjesë e Europës pa kontrolle mes nesh. Duhet ta përforcoj atë që tha Mickovski që jemi në një proces bashkëpunimi ku kemi shumë gjëra që duhet t’i bëjmë së bashku dhe padiskutim një ndër to është që të punojmë për të çuar përpara projektin madhor të rëndësishëm për BE e NATO, Korridorin 8. Falënderimi për të gjithë ata që punuan për këtë ditë për të realizuar këtë transformim që do u vlejë miliona njerëzve dhe do të vijojmë edhe me pikat e tjera”, tha Rama, shkruan A2.
Nga ana e tij, Mickoski theksoi transformimin edhe në pikat e tjera doganore, për t’i shërbyer turizmit të zonës: “Është nder i veçantë që së bashku me mua është miku im i dashur, Edi Rama. Në këtë eveniment të rëndësishëm dëshiroj të uroj këtë festë të rëndësishme si 22 Nëntori. Është kënaqësi që po bëjmë këtë bashkëpunim për një pikë kontrolli të vetme që lehtëson lëvizjen e njerëzve. Do t’i forcojmë edhe lidhjet në pikat e tjera, është një vlerë e shtuar për të dyja vendet për bashkëpunimin në fushën e turizmit rreth liqenit të Ohrit dhe Strugës dhe zonave të tjera”.
Gjatë konferencës mes dy kryeminstrave nuk kanë munguar edhe replikat me kryeminstrin Edi Rama dhe gazetarëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Këta të fundit i kanë thënë Ramës se nuk ka reaguar për çështje të ndjeshme të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Ndërsa kryeminstri Rama deklaroi se nuk ndërhyn në punët e një shteti tjetër, ndërsa u kujdes për një përkthim të mirë të deklaratës së tij.
Pas konferencës, Rama vijoi vizitën drejt Manastirit për festën kombetare të shkronjave shqipe. (A2 Televizion)