Sulmi në Kosovë, reagon Rama: Krim i rëndë, që cenon procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajon

Nga A2 CNN
30 Nëntor 2024, 10:23 | Politikë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas sulmit në ujësjellësin e Ibër Lepencit në Kosovë, ku u dëmtua infrastruktura e furnizimit me ujë për Mitrovicën dhe zona të tjera në Kosovë.

“Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cenon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian”, shkroi Rama në rrjetin social “X”, raporton A2 CNN.

“Kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Ndërkohë Bashkimi Europian duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë. Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës, ku fati europian i secilit shtet s’mund të varet nga dëshirat a mosdëshirat e shtetit tjetër; ashtu sikundër fati europian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së”. 

Një shpërthim u fuqishëm ndodhi mbrëmjen e djeshme në fshatin Varage të Zubin Potokut. Shënjestër ka qenë kanali i ujësjellësit të kompanisë “Iber Lepenci”. Për pasojë u ndërpre edhe furnizimi me ujë për qytetarët e Mitrovicës.

Ky sulm vjen pas atyre me granata në Zveçan, fillimisht në stacionin policor e më pas edhe në godinën e Komunës, që u sulmua me një granatë dore. Ministri Xhelal Sveçla e konsideroi këtë si aktin më të madh terrorist ndaj infrastrukturës kritike qe nga përfundimi i luftës në Kosovë, ndërsa kryeministri Albin Kurti akuzoi drejtpërdrejt Serbinë për organizimin e tij.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos