“Idiotët shqiptarë”, reagon ministri shqiptar nga Shkupi për deklaratat e Ferit Hoxhës: Jepni sqarim urgjent

Nga A2 CNN
24 Prill 2026, 22:39 | Politikë

“Idiotët shqiptarë”, reagon ministri shqiptar nga Shkupi

Ministri i Ekonomisë dhe Punës në Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi, ka reaguar pas një denoncimi të deputetit të PD Belind Këlliçi ku pretendohet se ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka ofenduar shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, duke i quajtur idiotë.

Në një postim në Facebook, Durmishi e ka cilësuar të papranueshme gjuhën që i atribuohet Hoxhës, duke kërkuar sqarim dhe reagim zyrtar nga Tirana.

Zhgënjyes dhe i papranueshëm fjalori i Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, z. Ferit Hoxha, i cili i quan shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ‘idiotë’. Presim reagim dhe sqarim urgjent nga Tirana zyrtare, ndërsa Ministri Hoxha duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për ofendimet e bëra”, shkruan ai.

Nga ana tjetër, Zëdhënësi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Alteo Hysi, në një reagim për A2 CNN, ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta dhe duke theksuar se ministri Hoxha nuk ka përdorur gjuhë fyese.

Sakaq, deputeti demokrat ju kundërpërgjigj duke postuar edhe fshirjen e mesazheve pas denoncimit publik.

Postimi i plotë i Durmishit:

Zhgënjyes dhe i papranueshëm fjalori i Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, z. Ferit Hoxha, i cili i quan shqiptarët e Maqedonisë së Veriut “idiotë”.

Presim reagim dhe sqarim urgjent nga Tirana zyrtare, ndërsa Ministri Hoxha duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për ofendimet e bëra. Kjo lloj gjuhe shkel çdo kodeks etik e profesional dhe është skandaloze për një përfaqësues shteti.

I kujtojmë z. Hoxha se e ka obligim kushtetues të kujdeset për bashkëkombasit e vet që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë fqinj nga projekti i dashur i Tiranës zyrtare Open Balkan, por pjesë e pandashme e trungut kombëtar.

Në të njëjtën kohë, zhgënjen edhe heshtja e ambasadorit shqiptar në Shkup, z. Denion Meidani, i cili në vend se të reagojë ndaj fjalorit të tillë, ka zgjedhur ta bëjë zëdhënësin e disa partive politike në Maqedoninë e Veriut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos