Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka intervistuar veten pasi nuk iu ndryshua nga GJKKO-ja masa e arrestit me burg.
Autointervistën, Meta e postoi në rrjetin social Facebook, shkruan A2.
Autointervista e plotë:
Pyetje: Z. Meta, pas vendimit të GJKKO, ju paralajmëruat një konferencë shtypi të nesërmen në orën 11:00. Pse kjo nuk ndodhi?
Përgjigje: Menjëherë sapo fola me z. Tedi Blushi, që ai të theksonte 7 qëndrimet e mia kryesore që rrëzonin kërkesën e SPAK-ut, në një konferencë shtypi, e cila atë pasdite u censurua totalisht nga televizionet, iku edhe sinjali i komunikimit telefonik në burgun 313, për të vazhduar edhe gjithë ditën tjetër (blackout i vërtetë).
Besoj se arsyeja kryesore kishte të bënte me postimin tim, se në orën 11:00 të së nesërmes do bëja një konferencë shtypi me gazetarët që kishin dëshirë të bënin pyetje përmes telefonit të z. Blushi, që është i regjistruar zyrtarisht, dhe nga telefoni i paraburgimit që normalisht përgjohet 24 orë.
Të nesërmen u ndjeva fajtor, se mesa duket, për të shmangur këtë komunikim të hapur e transparent, “defekti” i la pa folur me të afërmit e tyre edhe gjithë të paraburgosurit.
Ndaj po u jap përgjigje disa prej pyetjeve më “provokuese”.
Pyetje: A e prisnit këtë vendim?
Përgjigje: Prej janarit 2017, si Kryetar Parlamenti, kam denoncuar nisjen e “Ramaformës”, që polli “Ramaduron”.
Pra, të shkeljes së ndryshimeve kushtetuese që u miratuan me 140 vota, kur u hodh shorti i parë tepër transparent në Kuvend me gogla për zgjedhjen e anëtarëve të KED.
Pasi Ramës emrat nuk i pëlqyen, keqpërdori Ambasadorin e SHBA për të kontestuar procesin ku ishin edhe ekspertët e EURALIUS-it dhe OPDAT-it, prezent gjithë kohën.
Kjo solli edhe reagimin tim të parë publik ndaj kësaj deklarate minuese ndaj procesit, pasi bazohej mbi një gënjeshtër, se gjoja Prokuroria kishte bërë manipulime në përzgjedhjen e kandidaturës së saj.
Për këtë, unë mbajta edhe një qëndrim zyrtar si Kryetar Parlamenti, drejtuar jo vetëm atij si ambasador, por edhe Departamentit të Shtetit, Sekretarit të kohës, z. Tillerson.
Pas ndërhyrjes pajtuese të znj. Arta Dade, unë pranova ta takoj atë dhe ai kërkoi falje, por e kishin “gënjyer” socialistët.
Kjo histori, siç e dini, vazhdoi pafund deri në mbetjen e vendit pa Gjykatë Kushtetuese dhe gjithmonë ambasadorët “gënjeheshin” nga socialistët e, pak më vonë, edhe Charles McGonigal.
Pra, historia e kapjes së gjithë sistemit të drejtësisë dhe gjykatave është shumë e vjetër dhe unë kam denoncuar të gjitha shkeljet e rënda të Kushtetutës (si zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm me 69 vota, nga 84 që kërkon Kushtetuta) e deri te betimi i një anëtareje të Gjykatës Kushtetuese te noterja te Lana.
Kjo ishte edhe arsyeja pse thirra popullin në mitingun e papërsëritshëm të 2 Marsit 2020, i cili prapësoi projektligjin e çuar në Kuvend për “betimet te Lana”.
Kjo betejë vetëm e shtyu në kohë kapjen edhe të Gjykatës Kushtetuese, pas ndërhyrjes pozitive të Komisionit të Venecias.
Ndaj ne jemi të detyruar të ezaurojmë të gjitha shkallët e gjykatave të brendshme, përfshirë atë Kushtetuese, për të shkuar në Gjykatën e Strasburgut.
Pyetje: Atëherë, cili është konkluzioni juaj për vendimin e GJKKO për mosndryshimin e masës së arrestit ndaj jush pas 8 muajsh?
Përgjigje: Konkluzioni është i qartë: GJKKO s’ka dhomë këshillimi, por dhomë komandimi nga “Ma nalt fare”, sidomos në procese vetëm politike si ky. Por janë hallka të domosdoshme që duhen ezauruar me durim strategjik.
Pyetje: A ishin serioze argumentet e SPAK-ut për të vijuar këtë masë ekstreme në paraburgim?
Përgjigje: Lexojeni të plotë materialin prej 32 faqesh që SPAK i ka dërguar GJKKO-së, ku asnjë të re nuk ka gjatë këtyre 8 muajve të arrestimit tim në paraburgim, përveç rrëzimit përfundimtar që i bën vetë SPAK-u shpifjes së botuar në “Mother Jones” të Sorosit në 2017, se LSI gjoja kishte paguar nga Qipro gati 1 milion $ për “Dorelita Group” të “McKeon Group”, që unë të bëja gjoja një fotografi që as u kërkua ndonjëherë me Presidentin Trump.
SPAK e dinte shumë mirë të vërtetën, se unë këtë ua kam provuar me fakte dhe akte prej 2 vitesh, se për “McKeon Group” është bërë vetëm një pagesë prej 15 mijë $ me vendim të Kryesisë së LSI-së dhe e deklaruar në KQZ dhe në FARA (SHBA).
Çdo gjë tjetër është trillim i sponsorizuar shumë shtrenjtë nga Narkoregjimi dhe i pranuar me hare nga vetë SPAK-u për të justifikuar edhe urdhrin për rrëmbimin tim.
Pyetje: Po akuzat për lobimet e tjera që s’kanë rënë. Si e shpjegoni ju?
Përgjigje: Ka dy arsye kryesore sipas meje. Së pari, SPAK-u e di shumë mirë se nëse ato diferenca janë të vërteta (pra midis FARA-s dhe KQZ-së), ato nuk kanë asnjë lidhje me veprimtarinë time gjatë periudhës si Kryetar i LSI-së deri në prill 2017, ku çdo marrëveshje apo pagesë, si te rasti “McKeon Group”, miratohej nga Kryesia dhe autorizohej dikush për të paguar.
Po kështu, SPAK-u e di shumë mirë që unë as kam autorizuar njeri, e as kam qenë në dijeni të pagesave të tilla që mund të kenë ndodhur.
SPAK-u thotë, në faqen 103 të akuzës ndaj meje, se kompania GSIS ka lidhur marrëveshje me LSI-në të nënshkruar nga një titullar i saj (jo Ilir Meta).
Po kështu, më poshtë thotë se GSIS LLC, në raportin e transaksioneve financiare të periudhës 1 janar 2016 – 31 dhjetor 2017, i ka dërguar faturat LSI-së në vlerën 589,024.57 USD. Faturat që LSI ka paguar kapin vlerën 463,546 dollarë.
Edhe më parë, por edhe në seancën e fundit, i kërkuam Prokurorit Kllapi, që ishte në seancë, të na tregonte se cilit përfaqësues të LSI-së ia kishte dërguar kjo kompani këto fatura, pasi ky do të ishte edhe çelësi i vërtetë i përcaktimit të përgjegjësive edhe penale.
Pasi është e padiskutueshme që unë as kam qenë ndonjëherë në dijeni të një shume të tillë dhe as mund të autorizoja veprime të paligjshme, për më tepër që kjo është një shumë tejet e ekzagjeruar për ato shërbime të kërkuara apo të raportuara.
6. Pyetje: Po Prokurori Kllapi si reagoi?
Përgjigje: Në mënyrën më absurde. Ai tha se, para se të firmosej marrëveshja me GSIS nga LSI zyrtarisht, ekzistonte një letër e GSIS drejtuar Kryetarit Meta, ku i shkruhej për qëllimet e diskutuara të marrëveshjes që ishte biseduar më parë për t’u arritur.
Kjo përgjigje është shumë qesharake, sepse, përpara se të miratohej një marrëveshje, natyrisht qëllimet dhe termat e saj do të diskutoheshin paraprakisht nga palët (si për çdo marrëveshje).
Dhe natyrisht që një marrëveshje e tillë është miratuar nga Kryesia e LSI-së, siç përmend edhe vetë akuza në faqen 103 të vendimit për marrjen si i pandehur.
Dhe kjo marrëveshje ka qenë zyrtare dhe e depozituar sipas ligjeve, e firmosur nga një titullar i LSI-së. Z. Kllapi, pra SPAK-u, pas tre vitesh hetimi për lobimin, nuk do qëllimisht të japë përgjigje se kujt në LSI ia ka çuar këto fatura GSIS-i?
Sepse është ky person që jo vetëm ka qenë në dijeni të këtyre faturave marramendëse, por edhe nëse s’ka urdhëruar apo kërkuar realizimin e këtyre pagesave, këto fatura ia ka bërë të ditura personit në LSI që ka marrë këtë vendim. E ky as mund të ishte dhe as mund të jetë Ilir Meta, dhe këtë SPAK-u e di shumë mirë, por përdoret politikisht për t’ia lënë këtë përgjegjësi Ilir Metës, duke fshehur provat dhe faktet.
Pra SPAK, në këtë rast, jo vetëm që nuk heton, por fsheh fakte dhe emra me qëllime të pastra politike për të fajësuar Ilir Metën, sepse këtë komandë ka marrë nga “Ramaduro”. Në këtë mënyrë, SPAK edhe mbron me porosi të Ramës personat përgjegjës të cilët, të kapur në veprime të paligjshme, kanë kaluar në shërbim të Ramës dhe kundër Partisë së Lirisë, që nga 21 nëntori 2023. Janë ata që para Konventës së 27 prillit 2024 i quaja publikisht fraksioni i “Dumanit dhe Adrianit”.
Por, si në rastin e “McKeon Group”, edhe këto manipulime do të sqarohen, ndaj SPAK shtyn pafund hetimet, sepse gjyqi në themel nuk mund të jetë i mbyllur. Por edhe dokumentat nga SHBA nuk mund të fshihen për një kohë të gjatë.
Si mund të bëja ose toleroja unë veprime të tilla me SHBA dhe në SHBA, kur jo vetëm e dija se ç’i kishte ndodhur “gruas së Bilalit”, por edhe ditën e parë të punës si Kryeministër në moshën 30 vjeç, e nisa me një konflikt me një ambasador të SHBA, i cili më bëri presion në emër të SHBA që të firmosja një marrëveshje me “New World Telekom”, një kompani off-shore që e donte falas Telekomin tonë, gjë për të cilën kishte një letërmirëkuptimi të firmosur më parë, por të kundërshtuar nga ministrat e asaj kohe, Bufi dhe Angjeli, me shumë të drejtë.
7. Pyetje: Cilat ishin pasojat e këtij konflikti?
Përgjigje: Fillimisht patëm shumë përplasje, por kur unë ia kërkova të ma sillte kërkesën zyrtarisht nga Departamenti i Shtetit, u tërhoq.
Pasojat e tjera ishin pozitive, si vizita e Sekretares Ollbrajt në shkurt 2000, dhe mbi të gjitha shteti shqiptar fitoi nga privatizimi i Albtelekom gati 200 milionë dollarë, të cilat do ishin falur për “qoka”.
SPAK-u e di shumë mirë si është historia e lobimeve dhe roli i personave të caktuar dikur në LSI, e tani të konvertuar në rilindas.
Pengmarrja është thelb i gjithë Narkoregjimit të Ramaduros dhe SPAK një instrument kryesor i tij.
Penalizohen politikisht kundërshtarët e “Ramaduros”, pa fakte, dhe merren në “bashkëpunim” dhe “mbrojtje” përgjegjësitë e shkeljeve dhe bashkëpunëtorët e tyre.
8. Pyetje: Ndërkohë duket sikur po ju tradhtojnë bashkëpunëtorët tuaj, si përmendet ju edhe dëshmia e Eriol Braimllarit, kushurit tënd, edhe me Endrit Braimllarin, që ju është sulmuar para disa ditësh me një postim në rrjetet sociale.
Përgjigje: Së pari dua të shpreh mirënjohjen e thellë për shumë miq besnikë dhe me karakter me mbiemër Braimllari, që nga themeluesit e LSI në 2004 e deri te Elisedi, që s’kishte lindur atëherë dhe është ndër të rinjtë më aktivë sot.
Endriti është rasti kur ai tallet me SPAK-un publikisht pasi është “graduar” nga Ramaduro Nënkryetar i Këshillit që nuk ekziston, si vetë inceneratori i Tiranës.
Reagimi im erdhi kur e dëgjova live te Ola Bruko, pa u skuqur faqja, se as ishte thirrur në SPAK dhe as kishte firmosur për lobimet e LSI.
Nuk po u besoja veshëve, sepse për herë të parë, emrin e Z. Sotir Kllapi e mësova nga Endrit Braimllari në Jalë, në fund të gushtit 2022, kur unë isha rikthyer në krye të Partisë së Lirisë.
Atë ditë zyra e Fugës shpërndau një lajm që SPAK-u kishte hapur një hetim për mua për të verifikuar se mos unë kisha gënjyer për mbiemrin tim, me apo pa “J”, ngaqë ishte shpikur dosja e Sigurimit të Shtetit për mua.
Ç’është ky Sotir Kllapi, e pyeta unë, ngaqë lajmi ishte se ky po merrej me këtë çështje “madhore”.
“E njoh unë”, tha Endriti, “se ky ka dy mbiemra për vete, se jemi një moshë, e kemi patur shoqëri, por është transformuar krejt”.
Pse e pyes unë? “Po ky,” tha, “ishte kur më thirrën mua në SPAK për të më pyetur për lobimet dhe më qëndronte shumë rëndë”.
Po çfarë probleme ngrenë ata për lobimet, i them unë?
“Asgjë mo shef, ato shpifjet e njerëzve të Ramës. Ne çdo gjë e kemi bërë sipas ligjeve dhe me KQZ”, - u përgjigj ai.
Edhe pse kujtesën e kam të hekurt, thashë me vete pa t’i hedh një sy dosjes ku unë jam marrë i pandehur.
Jo një firmë, por tre firma ishin të Endrit Braimllarit në atë dosje.
Më e bukura, në faqen 117, ku janë edhe firmat e tre prokurorëve, i pyetur për një faturë 20 mijë dollarë që ai kishte autorizuar në 2018-2019 për t’ju paguar një kompanie, ai nuk e mbante mend as arsyen e transferimit të shumave, as nuk kishte dijeni nëse mes LSI dhe kompanisë kishte kontratë dhe se ai as kishte dijeni se cili ishte personi i ngarkuar me ndjekjen e ecurisë së kontratave që LSI kishte me kompaninë që ky autorizonte me firmën e tij pagesën.
Unë edhe sot e kësaj dite e mbaj mend se si janë paguar 15 mijë dollarë për “McKeon Group” në mbledhjen e Kryesisë dhe personin e autorizuar nga Kryesia për të bërë pagesën në bankë, sipas ligjit e raportuar në KQZ.
Çfarë pune më të rëndësishme paska patur ky në atë kohë, 2018-2019, kur ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i LSI, që s’paska mbajtur mend pse ka hedhur firmën dhe për një faturë 20 mijë dollarë?
Ndërsa tani, pasi është konvertuar në rilindas, gënjen publikisht në TV e thotë se as jam thirrur në SPAK e as kam firmosur për lobimet.
Ndërsa me Eriol Braimllarin, kushuririn e tij, kemi rastin kur SPAK-u tallet me veten, pra me SPAK-un.
Në relacionin absurd prej 32 faqesh, dërguar Gjykatës për të justifikuar mbajtjen time në masë ekstreme paraburgimi, SPAK përdor dëshmitarin Eriol Braimllari, i cili gjoja rrëzon pretendimet e mia se s’kam lidhje me Adrian Shatkun, pasi ky dëshmitar paska deklaruar se për herë të parë e ka njohur Adrian Shatkun në janar 2017, ku ka qenë në SHBA me mua si Kryetar Kuvendi.
Po kështu, ai deklaron se është takuar të paktën një herë me Adrian Shatkun.
Së pari, kjo deklaratë është pa kuptim, sepse unë i kam sqaruar prej dy vitesh rrethanat e njohjes me Adrian Shatkun.
Por problem është se ky Erioli, në faqen 112 të dosjes të marrjes time si i pandehur, del qartë nga vetë SPAK-u disa herë, direkt dhe indirekt, se Eriol Braimllari jo vetëm shoqëron që nga viti 2013 John Moreirin vazhdimisht në Shqipëri, e provuar dhe vërtetuar nga SPAK-u, që është i dërguar nga Adrian Shatku, por e shoqëron edhe në Hotel Rogner, ku sipas SPAK-ut, përsëri rezulton se ka paguar A. Shatku.
I përmenda këto inkoherenca të SPAK-ut vetëm për të treguar se si luan politikisht duke përdorur gënjeshtarë, të cilët i dekonspiron vetë, ndërkohë që dihet nga të gjithë në LSI, që Eriol Braimllari është takuar me dhjetra herë me Adrian Shatkun edhe në Tiranë edhe në SHBA që përpara janarit 2017.
Po kështu, dihet që ai mbante të gjitha komunikimet me kompanitë lobuese që kishte sjellë A. Shatku.
Po kështu dihet edhe që ishte bashkë me Endritin te numërimi i votave për Partinë Socialiste pas 11 majit tani. Për të ardhur keq që të gjithë këta që konvertohen në “rilindas” pasi thirren nga SPAK-u, kanë problem me kujtesën.
9. Pyetje: Ndërkohë që SPAK-u në relacion thotë se ju keni përfituar kartë nga Adrian Shatku me ish-bashkëshorten tuaj.
Përgjigje: SPAK-u është kaq i obsesuar të më mbajë lidhur mua me Monikën, aq sa edhe në akuzë zyrtare të 26 majit statusin tim e kishin vënë qëllimisht i martuar, kur kjo marrëdhënie nuk ekziston prej kohësh në gjendjen civile të Republikës së Shqipërisë dhe ata e dinë shumë mirë.
Tani nuk u ka mbetur gjë tjetër veç të më ngrenë akuzë edhe si përfitues te inceneratorët me “provat” se Z. Lefter Koka ka qenë ministër i caktuar nga LSI dhe është e pamundur që ai të ketë firmosur pa dijeninë time.
Dhe duke e përmendur Z. Lefter Koka, dua të kujtoj takimin tim pas zgjedhjeve të vitit 2013 me të te klubi i Osmanëve në Maminas, kur i kam thënë se duhet të jetë shumë i kujdesshëm si ministër me ligjin, sidomos me një kryeministër si Rama, për të cilin ligji s’ka rëndësi.
Këtë porosi ua kam dhënë të gjithë njerëzve të cilëve u kemi besuar detyra me përgjegjësi apo që kanë punuar pranë meje.
Këtë porosi ua kam thënë pa u lodhur edhe fëmijëve të mi që kur kanë qenë të vegjël.
Zbulimi i kartës së parë të saj nga SPAK është ngjarja më shokuese në jetën time, por e kam lënë pas tani.
10. Pyetje: E megjithatë jeni në burg pavarësisht nga ky kujdes i madh me ligjin.
Përgjigje: Lexova te libri i Ilir Ikonomit për Fan Nolin, se kur një prej kundërshtarëve të tij i ishte ankuar pse e kishte futur në burg kur ai ishte kryeministër, Fan Noli i kishte thënë se në Shqipëri një shqiptar i ndershëm duhet të jetë njëherë në burg.
Por kur në burg nuk të fut Fan Noli, por një kryehajdut me cizme, je shumë më i nderuar.
Janë shumë figura politike që e kanë bërë “universitetin” e burgut dhe janë rikthyer më të fortë edhe në një moshë shumë më të madhe, siç është edhe rasti i Presidentit Lula në Brazil.
E rëndësishme është që çdo ditë ta kthesh në një investim për të ardhmen dhe të mos përsëritësh gabimet e së kaluarës.
11. Pyetje: Pra beteja juaj finale do të jetë në Strasburg?
Përgjigje: Kam qenë i qartë që në fillim për këtë, pasi s’mund të pritet drejtësi e pavarur nga “Ramaforma” e “Ramaduros”.
Edhe shumë institucione ndërkombëtare e kanë theksuar përdorimin e gjyqësorit si armë politike.
Por këtu problemi është më i madh. A kanë mundësi mijëra shqiptarë që janë paraburgosur kot e akuzush nuk i heton edhe prej dy vitesh, që të shkojnë edhe në Gjykatën e Strasburgut?
Ndaj kjo betejë duhet bërë edhe për ta, për t’i treguar Strasburgut dhe Europës se Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut nuk njihet nga “Ramaforma” e “Ramaduros” dhe se gjykatat shqiptare janë nën përgjimin e SPAK, veç presionit politik.
12. Pyetje: Ndërkohë që shtohen masat represive ndaj jush, cili do të jetë reagimi juaj?
Përgjigje: Të gjitha masat absurde represive vijnë sepse këta dallkaukë kujtojnë se unë do të hesht dhe nuk do të vazhdoj betejën time për t’iu rikthyer lirinë dhe të drejtat e gjithë shqiptarëve që intimidohen në forma nga më të ndryshmet nga Ramaduro.
Mjafton të shikosh situatën në burgje për të kuptuar falimentimin e drejtësisë.
Mbi 2/3 e popullsisë në burgje janë të paraburgosur për statistika.
Shumë prej tyre nuk merren në pyetje edhe pse mund të kenë një apo dy vite këtu.
Shiko rastin e Z. Arben Ahmetaj, që i shtynë për herë të katërt hetimet se s’kanë prova për ta çuar në gjykim.
Atëherë pse donin ta arrestonin me patjetër që para 2 vitesh? Apo për “vibratorin”?
Pse me “vibratorin” do mbulojnë inceneratorin?
Mbi 150 mijë dosje janë stok në gjykata. Një çështje e thjeshtë shkon edhe 15 vite. Ndaj çmontimi i Ramaformës është domosdoshmëri për shporrjen e Ramaduros.
Duhet protestë dhe reagim kudo.
Të huajt pranojnë çdo regjim që pranojnë shqiptarët.
Ndërkohë që fuqinë korruptuese të “Ramaduros” e kemi parë si te McGonigali e plot ambasadorë e diplomatë.
Masat represive të këtyre më bindin më shumë për të forcuar përpjekjet e mia për çrrënjosjen e kësaj junte mizore që s’njeh as ligjin e as Kanunin, por vetëm pabesinë dhe pengmarrjen.
Partia e Lirisë ka prej 27 prillit 2024, Konventës historike, një program shumë të qartë për dy dekadat e ardhshme.
Çlirimi nga nepotizmi, pavarësisht nga pasojat afatshkurtra, i ka garantuar një frymëmarrje afatgjatë që duhet shoqëruar me një riorganizim më efikas në kushtet e Narkoregjimit.
(A2 Televizion)