Rinumërimi i votave në qarkun e Fier ka nisur këtë të hënë, ku në ditën e parë të procesit duket se po ecën me ritme të shpejta. Në ambientet e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” në Tiranë do të hapen 587 kutitë e këtij qarku, ku administrata e KQZ e ndarë në 24 grupe numërimi do të verifikojë votat si për subjektet edhe për kandidatët, shkruan A2 CNN.
Procesi i rinumërimit u kërkua nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”, i drejtuar nga Adriatik Lapaj, i cili pretendon të marrë një mandat në këtë qark, dhe u mbështet nga Partia Demokratike në KAS, ku dy anëtarët e propozuar prej saj vendosën që të hapin të gjitha kutitë.
Në këtë qark Partia Socialiste ka fituar 12 mandate, ndërsa Partia Demokratike 4. Teksa te demokratët nuk ka garë, në kampin rozë lufta për mandatin e fundit është mes Zeqine Çaushit dhe Maldrita Bardho, ku mandati është ndarë për vetëm 64 vota. (A2 Televizion)