Pas përplasjeve midis Taulant Ballës dhe Flamur Nokës, dhe thirrjes së Sekretarit të Përgjithshëm të PD drejtuar komisionerëve të tij për të mos numëruar votat e ardhura nga Greqia, KQZ ka marrë vendimin që të vijohet me numërimin e fletëve të votimit, duke lënë mënjanë zarfet nga Greqia.
Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Franci Nuri, në një deklaratë për A2 CNN shpjegoi pse opozita ka kërkuar që të mos numërohen votat nga Greqia.
“Ka kaluar ngërçi i momentit, situata është e qetë dhe po vazhdon numërimi normal në KZAZ-të e diasporës. Ne si aleancë kemi kërkuar që të veçohen votat nga shteti grek, për momentin të lihen mënjanë dhe të vijohet me fletët e tjera nga diaspora. Arsyeja është se kemi argumenta mbi besueshmërinë e procesit në Greqi. Pati indicie të shumta për patronazhim në diasporë, për shkelje të rregullave të shpërndarjes së fletës së votimit në diasporë. Zarfet janë lënë rrugëve, nëpër pika bastesh… Shtuar kësaj ka pasur problematika edhe me shifrat e ardhura nga Greqia, në 10-ditëshin e fundit pati prurje pothuajse vetëm nga Greqia”, tha Nuri.
“Nisur nga gjithë këto elementë, ne kemi kërkuar që të veçohen derisa KQZ të na japë prova që çdo votë është dorëzuar personalisht te zgjedhësi, ashtu siç e ka rregullorja”, shtoi Nuri.
“Erdhën në KQZ 19 000 zarfe për 3 ditë, kur më parë kishin ardhur në total 17 000. Kjo shenjë lë të kuptohet që diçka ka patur. E rëndësishme është që të mos përzihen zarfet në këtë fazë ku jemi. Po presim përgjigjen e KQZ sa i takon kërkesës për dokumentacion nga DHL-ja, që provon se zarfet janë dorëzuar në mënyrën e rregullt”, deklaroi më tej përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike.
(A2 Televizion)