Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës mund të jetë nga radhët e Partisë Demokratike. Sali Berisha ka mandatuar tre zyrtarë të selisë blu që të negociojnë me forcat aleate dhe partitë e tjera opozitare që të arrijnë dakordërsinë për t’u bashkuar kundër mazhorancës me një kandidaturë të përbashkët, çka do të thotë se detyrimi statutor për primare do të injorohet.
“Do të jetë Flamur Noka, Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti. Do të jenë përfaqësuesit tanë që do negociojnë me partitë e tjera. Por tani, a më shkon mua që nga një anë të ngarkoj dhe t’u them partive që do negociojmë, dhe nga ana tjetër të them emra. Kjo nuk më shkon”.
Mandati për Flamur Nokën, Belind Këlliçin dhe Ilir Alimehmetin nuk është vetëm për të bashkuar opozitën, por edhe për të gjetur emrin që do të garojë kundër Ogerta Manastirliu.
“Janë të ngarkuar të negociojnë me të gjitha partitë opozitare, koalicioni dhe jashtë koalicionit. Ata takohen për kandidatët, me partitë. Pasi të bjenë dakord, se duhet të bjenë dakord me parti të tjera. Pastaj, vjen radha e kandidatëve. Puna është në vazhdim”.
Por situata nuk do të jetë e njëjtë për 5 bashkitë e tjera që janë pa kryetar, pasi Berisha pohoi se kanë gati disa kandidatë për secilën. Përtej zgjedhjeve vendore, Lideri demokratë doli para mediave për të kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës, të cilin e akuzon se po bashkëpunon me kartelet ndërkombëtare të drogës.
“Jep dorëheqjen sepse, ti nuk mund të jesh kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s, në një kohë kur ti zhvillon takime me kartelet dhe klanet botërore të drogës”.
Berisha i referohet pretendimit të tij për një takim me bosët e drogës dhe kartelet ndërkombëtare në ishullin Aruba, ku thotë se ka qenë prezent edhe Kryeministri Rama. (A2 Televizion)