Deputeti i PD Klevis Balliu, duke folur për procesin e integrimit pas mbylljes së tri kapitujve, theksoi se BE nuk gënjehet nga filmat e kryeministrit Edi Rama. Balliu shprehu bindjen se arsyeja kryesore pse po vonohet procesi i integrimit është pikërisht qeveria.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Balliu vuri në dukje se nuk mund të ketë integrim nëse Shqipëria nuk përmbush standardet e BE-së, në lidhje me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Procesi i integrimit për çdo qytetar në Shqipëri gëzon një mbështetje të jashtëzakonshme. Edhe partitë politike në tërësi kanë qenë mbështetëse. Por unë hyj te ata besojnë se e vetmja arsye pse vonohet procesi i integrimit në fakt është qeveria aktuale. Disa vite më parë kryesonim në rajon, sot s’jemi atje ku duhet. Nuk mendoj që do ketë ndonjëherë integrim pa u dalë përballë problemeve thelbësore si transparenca, ekonomia, korrupsioni, drejtësia, krimi i organizuar”, tha Balliu.
“Nuk ka integrim nëse Shqipëria s’ndërmerr standardet europiane. Këtu vjen Ergys Agasi dhe të drejton institucionin e sigurisë kombëtare, kemi pasur deputetë rezultuar me vrasje, s’ka në Europë 30 milionë euro km, këto janë standarde të korrupsionit. Në këtë aspekt, Europa nuk gënjehet nga filmat e Edi Ramës. Një gjë është e sigurt, edhe në kulmin e çfarëdo përplasje në Shqipëri, duhet t’u jemi mirënjohës të gjithë vendeve anëtare, po bëjnë gjithçka edhe për të justifikuar çmenduritë tona që Shqipëria të integrohet”, vijoi deputeti demokrat.
(A2 Televizion)