“Jo për vulë, jo për logo...” Betejë ligjore dhe politike, ky ishte vendimi i Lulzim Bashës dhe mbështetësve të tij.
Pavarësisht se kishte deklaruar se do të respektonte vendimin e Gjykatës së Apelit, me zbardhjen e verdiktit të trupës gjykuese do t’i drejtohet shkallës më të lartë me rekurs.
“PD do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë, për të mos lejuar që në këtë vend të triumfojë padrejtësia”, tha Basha.
Hapi i radhës i Lulzim Bashës do të jetë dhe beteja politike, ku premtoi se në vitin 2025 do të kërkojë votat me alternativën e tij, por nuk qartësoi nëse do të jetë një parti e re apo do bëjë koalicion me forca të tjera.
“Të gjitha opsionet e Kodit Zgjedhor janë në tavolinë”, theksoi Basha.
Ish-kreu i Partisë Demokratike u shpreh se lëvizjet e tij nuk përçajnë votat e demokratëve, por akuzoi Sali Berishën se po mban Edi Ramën në pushtet. (A2 Televizion)